Kryeministri Edi Rama ka zbardhur disa detaje nga takimi që zhvilloi mëngjesin e kësaj të premteje në Presidencë me kreun e Shtetit, Bajram Begaj.

Rama në një postim në rrjetet sociale thotë se ka diskutuar me presidentin Begaj, mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ndryshimet e ambasadorëve në misionet tona diplomatike.

Kryeministri nuk dha detaje pse do të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, apo cilët ambasadorë do të ndryshohen.

“Takimi i fillimvitit me kryetarin e shtetit për ta informuar mbi çështjet kryesore të këtij viti qeverisës, si edhe për të përgatitur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe ndryshimet e ambasadorëve në misionet tona diplomatike” shkruan Rama krahas fotos me Bajram Begajn.

Takimi mes Ramës dhe Presidentit Begaj në Presidencë zgjati rreth 1 orë e 30 minuta.