Nga: Veritas.com.al/
Kur them fëmijët ‘tanë’, kësaj here, si kurrë- e shtroj çështjen gjenetikisht, si shqiptarë, si komb, si rracë. Tmerri që ndodhi me tre fëmijë trinjakë në Durrës sot pasdite, të bën t’i drejtohesh vetes dhe kombit tënd me një qortim të pamatë.
Sot pasdite tre fëmijë të moshës tre vjeçare u dogjën në shtëpinë e tyre. Të dy prindërit i kishin lënë mbyllur brenda dhomës me dry dhe me dritare me hekura tre fëmijet e moshës tre- vjeçare. Më e rënda se nëna e tyre Migena Konçi- një nënë dhe grua e re, kishte mbyllur fëmijët dhe kishte shkuar për vizitë te nëna e saj…
E rëndë sa nuk thuhet.
Të dhënat e para tregojnë se të miturit ishin lënë vetëm në banesë nga nëna e tyre, e cila kur është kthyer ka gjetur shtëpinë në flakë.
Tragjedia ndodhi në familjen e Gëzim Konçit.
Burimet nga grupi hetimor tregojnë se fëmijet po luanin me një shkrepse të vetëm në banesë. Në fillim morën zjarr perdet dhe më pas banesa.
Kur nëna u kthye në banesë nuk mundi që t’i nxirrte të miturit nga dritarja, pasi ajo ishte me hekura.
Policia konfirmon se që të tre humbën jetën dhe për këtë ngjarje kanë nisur hetimet.
Po pse ky fat tragjik për fëmijët tanë, shqiptarë?
Para katër ditësh, një fëmijë gati një vit, u bë copë- copë nga qentë e shtëpisë së saj. Një burrë 60 vjeç, emigrant shqiptar në Itali, aty ku mbante mbesën e tij 13 vjeçare, mbante edhe dy qen të llojit Pitbull. Një ditë qentë bënë rivalitet me foshnjën dhe e lanë të vdekur në vend. Policia italiane e ka akuzuar shqiptarin për vrasje me dashje…
Po sa ‘vrasje me dashje’ kryhen ndaj fëmijëv shqiptarë në mënyrë të vazhdueshme…
Fëmijët trajtohen barbarisht nga prindërit dhe të rriturit e tjerë. A i mbani mend vetëm disa fakte të njohura botërisht? Kujdestarja dhe drejtoresha e kopështit torturonte dhe rrihte fëmijën; por gjykata e ka lehtësuar shumë dënimin ndaj saj. Mësueset e shkollave të nivelit të ulët janë kapur duke rrahur fëmijët. Prindërit përditë sillen brutalisht ndaj fëmijëve. I rrahin, iu bërtasin, i dënojnë të mbyllur në banja, i dënojnë të rrinë me një këmbë, sapo riten pak i nxjerrin nga shtëpia nëse ‘bëjnë gabime’ i qëllojnë nëse prishin të vetmen kukull, iu bërtasin në sy të të gjithëve në plazhe dhe në rrugë. Prindër kriminelë… Pa folur për nëna që i heshin foshnjet e sapo lindura në kosha ose në shkurre…
Po çfarë është kjo barbari ndaj fëmijëve? Po krijohen prindër kriminelë dhe fëmijë të ashpër, me fytyrë burrash dhe me sjellje pa hije…
A mund të themi se kjo ndodh vetëm me ‘racën’ tonë? Në një moment të tillë dëshpërimi- edhe mund ta themi. Por në fakt ne sillemi me fëmijët më keq se gjithë popujt fqinj. Sa pak respekt kemi për ta! Mund të na kalojnë vetëm popujt arabikë, ku fëmija lind për ‘sakrificë’. Por është e rëndë.
Jo vetëm pse prindi ka pak vlerësim për jetën e tij; aq më pak për jetën e fëmijës. Por shteti ndodhet në një pozitë të ulët. Nuk ka ligje që ndëshojnë sjelljen e keqe ndaj fëmijës. Edhe po të ketë ndonjë copë ligj, ai nuk zbatohet. Shteti nuk ka praktikuar të marrë nën kujdestari fëmijë me prindër të dhunshëm, pijanecë ose sharlatanë. Asnjë lajm deri sot nuk është transmetuar se një gjykatë paska dënuar një prind të egër ndaj fëmijës…
Dënojmë çfarë nuk dënojmë. Ekranet e televizioneve, salla e Kuvendit, mesha dhe falja ajë bushur me kotësi, ose me poliitikanë bosh, ose me kriminelë ‘kult’. Por për fëmijët nuk ka vend.
O zot, a mund ta kthesh këtë njeri që rron në këtë tokë për nga drejtimi që të bëjë butësinë, kujdesin, përkushtimin, edukatën maksimale pozitive për engjëjt fëmijë!
Veritas.com.al/