Pas zgjedhjes së kreut të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferri, situata është përkeqësuar brenda sallës së Parlamentit. Mediat raportojnë për gjendje të jashtëzakonshme. Protestuesit kanë hyrë brenda në sallën kryesore ndërkohë në sallën e konferencave për shtyp ndodhen të bllokuar gazetaret dhe shumica parlamentare. Numri i protestuesve vazhdon të rritet ndërkohë që në ambientet e Kuvendit nuk vërehet asnjë lëvizje nga forcat e rendit. Përveç sulmit brenda Kuvendit një person ka filluar të godas edhe gazetarët që ndodhen jashtë Kuvendit. Gazetarja e Alsat-M, Melihate Rustemi, raporton se ajo është tërhequr zvarrë nga një person i cili ka tentuar t’i merr mikrofonin.
Deputetët zbresin nga pjesa e sipërme e hollit në sallën e konferencave për shtyp për shkaqe sigurie. Qytarët kanë hyrë në sallën konferencave për shtyp duke sulmuar deputetet. Ndërkohë në sallë nuk vërehet prania e asnjë polici. Situata kaotike vazhdon në ambientet e Kuvendit dhe nga pamjet që transmetohen në median maqedonase vërehet i gjakosur lideri i LSDM-së Zoran Zaev.
Ndërkohë kryetari i sapozgjedhur, Talat Xhaferi tenton të japë një deklaratë për shtyp. Pasditja krijoi një situatë tejet të tensionuar në Kuvend të përcjellë me fishkëllima, të bërtitura, duartrokitje dhe këngë. Deputeti i LSDM-së Oliver Spasovski kërkoi që shumica e re të ngrihet në këmbë për të marrë në duar institucionin.
Krste Mukovski nga VMRO-DPMNE-ja, nga ana tjetër papritur filloi të këndojë himnin e Maqedonisë që bëri të ngrihen në këmbë të gjithë deputetët. Megjithatë pas himnit, deputetët e LSDM-së njëzëri dhe më këngë, kërkuan përgjegjësi nga Nikolla Gruevski dhe përfundimin e tij në burgun e Shutkës. Në një ndërhyrje procedurale deputeti i Besës, Zeqirja Ibrahimi tha se nëse u thye rregullorja për ndërhyrje procedurale duke u kënduar himni i Maqedonisë edhe ai do të këndojë himnin shqiptar.
“Më vjen keq që në fund e thyet rregulloren dhe e tejkaluat kohën që rregullorja parashikon për ndërhyrje proceduriale për të kënduar himnin. Nëse u lejua të këndohet himni i maqedonas atëherë edhe unë do të këndoj himnin shqiptar”, tha Zeqirja Ibraimi.
Kryetari i sapo zgjedhur i Kuvendit, Talat Xhaferi, edhe pse në kushte të jashtëzakonshme për gazetarët deklaroi se puçistë të vërtetë janë ata funksionarë të VMRO-DPMNE-së që me muaj të tërë bllokuan institucionet shtetërore. Xhaferi u zotua se do të krijohen institucionet në bazë të ligjit dhe Kushtetutës. “Si kryetar i zgjedhur edhe pse në këto rrethana në asnjë mënyrë nuk do lejoj uzurpim të institucioneve”. theksoi kryeparlamentari Xhaferi.