Frrok Çupi
As pse mendohet se do të ketë ‘lumenj’ protestuesish, as pse shteti ka frikë nga zjarrvënia…
Jo, iku ajo kohë kur këta që nesër bëjnë protestë i kallnin frikën edhe ‘kecit në bark të dhisë’. Para
atyre dyerve janë bërë protesta e protesta të këtyre që ‘kanë 12 vjet pa vjedhur’ në shtet, por dyert
e kryeministrisë janë lënë edhe pa policë. Ç’ne!, për frikë tani kur shteti është tjetër shtet nga ai që
ishte në kohën e frikës…
Ka disa arsye të tjera që nuk lidhen aspak me protestën e ‘Federatës’ së opozitës. Arsyeja e vërtetë
është jo frika, por forca.
Selia e qeverisë, e ndërtuar që para mesit të shekullit të kaluar, vetëm një herë është dhunuar e
përdhosur nga këta që ‘morën pushtetin’ me tanket e shtetit. Hynë në zyra, korridore dhe tualete,
prishën muret, morën pushtetin dhe iu drejtuan të sulmojnë ambasadën amerikane. Kaq ishte. Sikur
njëmijë herë të tjera të tentonin të hynin në ato zyra, fuqia e shtetit nuk do të reagonte me forcë.
“Doni të hyni? Hajde hyni!… Do t’i hani muret? Hajini…”.
Por kësaj here nuk mund të lejohet. Në ato mjedise sapo ishte sekretari i shtetit i Shteteve të
Bashkuara, z. Blinken. Ai aty deklaroi se ‘SHBA dhe Shqipëri do të thotë një botë më e sigurt!’. E tha
pikërisht kur një konflikt global po rrezikon botën. Ajo seli u lokalizua si piketa e sigurisë botërore. Pa
lë që nuk flasim nëse në ato zyra të jenë vendosur dokumente të rëndësisë jetike të paqes
botërore… Por edhe sikur vetëm ta prekin duart e njerëzve të grupimit antiamerikan që proteston,
kjo do të ishte shumë fyese. Rusia që po kërcënon botën do të thërriste në televizionin ‘Russian Tv’,
se ‘ja, e dhunuam pallatin simbol të paqes dhe stabilitetit perëndimor’.
Prandaj nuk mund të preken ato dyer.
Ka edhe arsye të tjera, por që nuk lidhen me frikën:
Ka lidhje me Ukrainën. Në atë pallat të ndërtuar nga italianët, fiks një javë pas datës 21 që tingëllon
si ’21 janar’ i atyre, do të ulet presidenti i Ukrainës, Zelensky. Shqipëria i ka garantuar bujtje,
mikpritje, siguri, takim me një botë të tërë pro- Ukrainë. Gjithë vendi ynë është bërë ‘hekur’ i tërë në
mbrojtje të atij Samiti botëror… E, thua se të lejohen këta të venë dorë mbi ato dyer?! Sa ndotje për
fytyrën e perëndimit do të ishte!
Ka lidhje edhe me ‘Kuçovën’ kjo që aty dyer nuk i prekin dot. Baza ushtarake amerikane e Kuçovës
do të jetë gati për pak ditë. Ajo do të zërë vendin e një ‘Kordoni të tërë Sanitar’ të Luftës së Ftohtë
dhe do ai tashmë në prag të një lufte të nxehtë, do të zhvendoset në Shqipëri. Që këtu do të
mbrohet Ukraina dhe vetë Perëndimi, nëse Rusia do të guxojë të sulmojë. Këta të protestës, me
siguri janë udhëzuar dhe urdhëruar që të përdhosin simbolet e sigurisë, ndoshta nga vetë Rusia; nuk
është jashtë mendjeje.
Atëherë, pra, nuk ka për të ndodhur; këta të gjejnë ‘demokracinë’.
20 Shk 2024