Ministria e Mbrojtjes në Letoni ka reaguar lidhur me shpërthimin në Letoni, në të cilin humbi jetën nëntetarja shqiptare Zarife Hasanaj ndërsa dy të tjerë u plagosën.

Në një deklaratë për mediat, Komandanti i Forcave të Armatosura Kombëtare në Letoni, si edhe sekretari i NATO-s, i shprehën ngushëllimet e tyre familjes së ushtarakes që ndërroi jetë, ndërsa e konsideruan ngjarjen një incident tragjik.

Ata theksuan se ende është e paqartë se si ka ndodhur shpërthimi i minës, që i mori jetën 32 vjeçares shqiptare, ndërsa njoftuan se policia vendase dhe forcat e armatosura kanë nisur hetimet mbi shpërthimin.

“Kam urdhëruar një inspektim të plotë në bazë për të gjetur mina ende të pashkelura, deri atëherë nuk do të ketë trajnim”, tha komandant Kalnins.

I pyetur nëse viktimat dhe familja e të ndjerës do të kompensohen, Kalnins theksoi se kompensimi do të paguhej në përputhje me ligjin shqiptar, por Letonia shprehu gatishmërinë për të transportuar trupin në atdhe.

Komandanti i Forcave të Armatosura të Letonisë tha se kjo nuk është hera e parë që një shpërthim të regjistrohet gjatë trajnimit.

Veritas.com.al/