Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, sot më 23 maj do të vizitojë Shqipërinë.
Në agjendën e publikuar njoftohet se Dendias do të takohet fillimisht me anëtarë të minoritetit grek në Himarë dhe më pas me kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.
Ministri i Jashtëm grek do të ketë edhe një takim me homologen e tij shqiptare, Olta Xhaçka dhe kryeministrin, Edi Rama.
Bisedimet do të përqendrohen në çështje me interes rajonal dhe evropian, duke pasur në fokus marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë në të gjitha fushat.
Sipas mediave greke, palët pritet të diskutojnë marrëveshjen e pensioneve për emigrantët shqiptarë në Greqi.
Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë emigrantët shqiptarë që janë në skemat greke të pensioneve, të cilët një pjesë të aktivitetit të tyre të punësimit e kanë zhvilluar më parë në Shqipëri.
Po ashtu do të flitet edhe mbi përgatitjet për Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, situatën në Ukrainë si dhe perspektivën e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Këtë herë në krye të agjendës së Athinës zyrtare mungon zgjidhja e çështjes së detit.
Kjo pasi palët i janë drejtuar tashmë Hagës.
Takimi i fundit mes dy zyrtarëve të lartë ishte ai i shkurtit, kur Kryeministri Rama, dhe homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis, u takuan në orët e vona të 18 shkurtit.
Kjo sipas mediave greke asokohe temë e bisedës mes dy kryeministrave ka qenë sërish “çështja e detit”.
Takimi i tyre është realizuar në Mynih, ku ata ndodhen për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë.
“Rama shpjegoi qëllimin që qëndron pas lejimit të Gjykatës, që të zgjidhë mosmarrëveshjen – duke thënë se – Haga do të bashkojë pikat bazuar në ekspertizën dhe të drejtën ndërkombëtare detare”, shkruhet në mediat greke.