Aidan Hehir, Universiteti Westminster

The Conversation

Kur qeveria e Kosovës ra në 25 Mars pasi humbi një votë mosbesimi, disa raporte sugjeruan se kjo u nxit nga keqpërdorimi i qeverisë ndaj pandemisë se koronavirusit. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Në vend të kësaj, ajo u nxit nga forcat e brendshme të dëshpëruara për të bllokuar ndryshimin, dhe vendosmëria e administratës Amerikane për të hequr një qeveri që nuk dëshiron t’i zbatojë kërkesat e saj.

Pas zgjedhjeve të përgjithshme në tetor 2019, krahu i majtë Vetëvendosje doli si partia më e madhe në parlamentin e Kosovës. Popullariteti i Vetëvendosjes është ndërtuar në axhendën e tij për ndryshime, përfshirë angazhimet për të ulur papunësinë dhe përçarjen sociale, dhe, veçanërisht, trajtimin e korrupsionit që ka pllakosur Kosovën për dekada të tëra.

Që nga përfundimi i konfliktit me Serbinë në qershor 1999, dy partitë më të mëdha tradicionale të Kosovës – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – janë angazhuar në korrupsion dhe nepotizëm të gjerë. Si rezultat, Kosova vuan nga papunësia kronike dhe arsimi jofunksional dhe sistemet e kujdesit shëndetësor.

Aleatët e fuqishëm Perëndimorë të Kosovës toleruan korrupsionin për aq kohë sa elita kriminale, brenda dhe jashtë qeverisë, u bindej urdhrave të tyre dhe mbante një pamje të rendit. Ky “rend” është kuptuar ngushtë si ruajtja e një paqeje të ftohtë me Serbinë – duke i dhënë mundësi Perëndimit që të paraqesë ndërhyrjen e tij në Kosovë si një sukses. Fitorja e Vetëvendosjes kërcënoi këtë marrëdhënie simbiotike.

Barrierat për të ndryshuar

Megjithëse u bë partia më e madhe në tetor, Vetëvendosja nuk hyri në qeverinë e koalicionit me LDK deri në shkurt të vitit 2020. Kjo vonesë u shkaktua nga hezitimi i një fraksioni më të vjetër brenda LDK-së – i lidhur gjerësisht me korrupsionin brenda Kosovës – për të pranuar axhenden e radikales Vetëvendosje. Ndërsa krahu më përparimtar i LDK mbizotëroi përfundimisht, figura të fuqishme në parti – përfshirë udhëheqësin e saj – nuk ishin kurrë plotësisht mbështetës të koalicionit.

Një pengesë shtesë për realizimin e axhendës së Vetëvendosjes ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Thaçi, i cili është nga PDK, ishte agresiv me shpresën e një qeverie të përkushtuar për të luftuar korrupsionin me Albin Kurtin e Vetëvendosjes si kryeministër. Në vitin 2010, Thaçi u akuzua si një figurë e fuqishme brenda rrjetit kriminal të Kosovës, diçka që qeveria në atë kohë e mohoi.

Qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosja u minua më tej nga konteksti i jashtëm. Besueshmëria e BE-së brenda Kosovës ka rënë vitet e fundit, për shkak të mungesës së përparimit në bisedimet e anëtarësimit dhe liberalizimin e vizave. Si rezultat, shumë – më i dukshëm Thaçi – bëri thirrje që SH.B.A. të marrë një rol më të madh në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje me Serbinë, që shihet si kryesore për zgjidhjen e statusit të kontestuar ndërkombëtar të Kosovës.

Emërimi i Richard Grenell si një i dërguar special i SHBA në dialogun Kosovë-Serbi në shkurt 2020, prandaj u mirëprit nga Thaçi dhe përkrahësit e tij si dëshmi e një angazhimi të ri Amerikan. Grenell harxhoi pak kohë në lëshimin e një seri kërkesash të topitura,duke përfshirë atë për të siguruar mbështetjen e vazhdueshme të SH.B.A.-së, qeveria e Kurtit duhet të heqë menjëherë tarifat 100% të vendosura nga qeveria e mëparshme për mallrat Serbe të eksportuara në Kosovë.

Kurti ra dakord të hiqte tarifat, por me faza dhe vetëm nëse Serbia ndërpret fushatën e saj për të bindur vendet që të tërheqin njohjen e tyre për Kosovën. Kurti gjithashtu deklaroi se negociatat me Serbinë duhet të udhëhiqen nga qeveria e Kosovës dhe jo nga presidenti, siç përcaktohet me kushtetutën e Kosovës, dhe se çdo marrëveshje e ardhshme duhet të përjashtojë shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, një propozim qe edhe Thaçi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë intimuar gatishmërinë e tyre për ta mbështetur.

Si përgjigje, figura të ndryshme politike në SH.B.A. – përfshirë djalin e Donald Trump, Donald Trump Junior – kërcënuan të ndërpresin mbështetjen e SHBA për Kosovën dhe të tërheqin trupat Amerikane nga misioni paqeruajtës i drejtuar nga NATO, i vendosur atje. Këto kërcënime frikësuan partnerët e koalicionit të Vetëvendosjes LDK dhe Thaçin, të cilët apeluan për pajtim me kërkesat Amerikane, duke paralajmëruar se Kurti ishte një “gënjeshtar … djallëzor … i rrezikshëm”.

Përgjigja ndaj koronavirusit

Pandemia e koronavirusit u dha atyre vendosmerinë për ti hequr Vetëvendosjes mundësinë për ta bërë këtë. Megjithë zbatimin nga qeveria të një seri masave të shpejta për të trajtuar krizën, përfshirë mbylljen e shkollave dhe restoranteve dhe ndalim-qarkullimin,Thaçi në mënyrë të njëanshme deklaroi se Kosova duhet të vendoset në një gjendje të jashtëzakonshme.Në një situatë të tillë, pushteti i qeverisë zhvendoset në këshillin e sigurisë së Kosovës, i cili kryesohet nga Thaçi.

Qeveria e refuzoi këtë dhe nxori grupin e saj të masave të emergjencës që rritën kufizimet në lëvizjen e njerëzve pa transferuar pushtetin tek presidenti. Thaçi pastaj i bëri thirrje publikut të injorojë dekretin e qeverisë.

Kur Kurti shkarkoi një ministër të LDK-së i cili mbështeti presidentin, roja e vjetër e LDK-së kërkoi që Kurti të rikthejë ministrin e shkarkuar dhe menjëherë të aderojë në të gjitha kërkesat e Amerikës ose të përballet me një votë mosbesimi. Ambasadori Amerikan në Kosovë tweetoi mbështetjen e tij për mocionin e mosbesimit dhe Vetëvendosja humbi votën kur shumica e deputetëve të LDK-së votuan me opozitën.

Tani që qeveria ka rënë, Kosova hyn në një periudhë të pasigurisë së madhe, megjithëse ka të ngjarë që Kurti të vazhdojë të ketë rol kujdestarie, derisa të mbahen zgjedhjet e reja.

Një mundësi fotografike

Për ata në Kosovë pasuria dhe fuqia e të cilëve varet nga mirëmbajtja e status quo-së,- si roja e vjetër në LDK, partitë opozitare dhe Thaçi – nevoja për të hequr Vetëvendosjen ishte e qartë. Për SH.B.A.,shtysa ishte e ndryshme, megjithëse po aq e matur.

Në rrënjë të interesit aktual Amerikan në Kosovë janë zgjedhjet presidenciale në SHBA.Edhe pse as Trump dhe as administrata e tij nuk kanë treguar më parë ndonjë interes për Kosovën,një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës e ndërmjetësuar nga administrata e tij është tërheqëse për shkak të vlerës së PR që do të përfaqësonte një foto-mundësi me Trump, Thaçin dhe Vuçiç.Nga kjo vjen vendosmeria e SHBA për të detyruar Kosovën të pranojë kushtet e Serbisë në bisedime.

Heqja e Vetëvendosjes mund të bëjë arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më të mundshme,por marrëveshja e propozuar ka të ngjarë të ketë pasoja të rënda për Kosovën dhe rajonin e gjerë. Shumica e ekspertëve kanë paralajmëruar vazhdimisht se një shkëmbim territori mbi bazën e përkatësisë etnike do të ketë pasoja thellësisht negative për paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin. Megjithatë, ky paralajmërim është injoruar nga ata brenda dhe jashtë Kosovës, të cilët janë të dëshpëruar të ndjekin interesat e tyre të ngushta vetjake.

VERITAS.COM.AL