Bashkimi Europian me të gjithë strukturat e tij do ta monitorojë zbatimin e paketës “Anti-KÇK” në Shqipëri.
Nëse konstatohet se ligjet shkelin të drejtat e njeriut, qeverisë do t’i kërkohet ndryshimi i tyre.
Këtë e konfirmon për A2, Isabel Santos, raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian:
“Sigurisht që qeveria dhe Parlamenti kanë mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së për ligjet dhe aktet legjislative.
Ne do ta ndjekim zbatimin e ligjit. Nëse në ndonjë moment do të vërejmë se të drejtat e njeriut nuk po respektohen, BE dhe besoj dhe SHBA do t’i kërkojnë vendit tuaj të rimendojnë dhe ndryshojnë ligjin.
Për tani, na duhet të ndjekim zbatimin e të shohim nëse është në përputhje të plotë me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Janë vlera bazike në Bashkimin Europian që nuk mund të shkelen. Jemi shumë striktë për këtë”.
Në intervistën për A2, Santos pohon se u habit nga situata politike në Shqipëri në këtë moment kyç për negociatat dhe pas gjithë besimit që iu tregua vendit në Konferencën e Donatorëve.
Pjesë nga intervista:
Por, në pritje të 2 marsit të Presidentit, a mund të ndikojë përplasja mes tij dhe mazhorancës në vlerësimin për hapjen e negociatave?
“Shpresoj që jo, sinqerisht shpresoj që jo. Por, në këtë moment nuk mund të parashikoj efektin që mund të ketë kjo përplasje.
Nuk e di nëse palët do të mund ta riformësojnë këtë përballje në të cilën janë përfshirë, cili do të jetë reagimi në ditët e ardhshme dhe cili do të jetë rezultati final në 2 mars.
Shpresoj që jo, që përplasja të mos ketë efekt negativ, por nuk e parashikoj dot tani efektin e vertetë të saj”, u përgjigj Santos.
Portugezja që zëvendësoi Knut Fleckestain si raportuese në Parlamentin Europian thekson gjithashtu rëndësinë e mbylljes deri në 15 mars të Reformës Zgjedhore dhe shtrirjes së ndryshimeve dhe në ligje të tjera, për ta kthyer sistemin politik në Shqipëri më pranë standardeve europiane.