Autoritetet shqiptare kanë nënshkruar të hënën e 30 janarit kontratën me kompaninë “Eagle Hills Real Estate Development” për projektin “Durres Yachts and Marina”
Investitori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Muhamed Alabbar, deklaroi pas nënshkrimit se palët kanë punuar fort që kjo të ndodhte.
“Askush nuk ka kryer vigjilencën ndaj meje, si qeveria shqiptare. Kam shumë respekt për njerëzit që nxitën këtë projekt, ka pasur momente që jam ankuar që kjo ishte shumë komplekse. Nuk flas dot mjaftueshëm për projektin dhe njerëzit tuaj. Jemi shumë krenar për këtë arritje”, u shpreh Alabbar.
Investitori arab shtoi se të rinjtë dhe të rejat shqiptare po bëjnë ndryshime.
“Disa nga gjërat që po bëjmë këtu janë edhe më të përparuara se në Dubai”, pohoi ai.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh gjatë fjalës së tij se tani është koha për të nisur punën në terren dhe për t’i hapur rrugë këtij transformimi të paimagjinueshëm.
“Nuk diskutohet që Durres Marina hyn në ekonominë shqiptare si një lokomotivë, që do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm në rritjen e shpejtësisë së zhvillimit ekonomik, por edhe si konkurrent në një treg të gjerë”, garantoi kreu i Qeverisë.
Ndërtimi i marrëveshjes
Data shënonte 10 gusht 2022.
Kompania me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe “Eagle Hills Real Estate Development” sapo nënshkruante një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) me Shoqërinë Shqiptare të Zhvillimit të Porteve Detare.
Kjo, e fundit në pronësi të Autoritetit Portual të Durrësit.
Bëhej fjalë për finalizimin e një projekti mbi transformimin e portit.
Memorandumi i Mirëkuptimit përcaktonte kushtet e bashkëpunimit për projektin e titulluar “Durres Yachts and Marina”.
Në të parashikohej ndërtimi i një marine, hapësire banimi dhe shërbime në port me një sipërfaqe totale prej 80.9 hektarësh me një kosto prej 2 miliardë dollarësh.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e pagëzoi këtë investim gjatë nënshkrimit të marrëveshjes si “portin më të madh turistik të Mesdheut”.
Kjo, duke shtuar se investitori “Eagle Hills Real Estate Development” kishte një reputacion global të padiskutueshëm.
“Do të ishte e paimagjinueshme, jo 50 vjet përpara, por edhe 5 vjet përpara, që do kishim një investim të tillë në turizëm, në një vend që filloi të zhvillohej si vend me vizion për të qenë konkurrues në turizëm, vetëm kur ne filluam të ushtrojmë detyrën. Kjo është e vërteta”, deklaronte Rama më 10 gusht.
Në Shqipëri, sipas tij, ky investim do të rrisë eksponencialisht vlerën e pasurisë së të gjithë qytetarëve të Durrësit, si dhe të gjitha hoteleve në të gjithë bregdetin e qytetit.
“Sot kemi shoqërinë ‘Eagle Hills’ e cila është e njëjta shoqëri që administrohet drejtpërdrejt nga zoti Alabbar që ndërton vijën ujore në lumin që përshkon Beogradin”, theksonte kreu i qeverisë.
Rama ka shprehur disa herë gjatë retorikës së tij nevojën që ka turizmi shqiptar për të kaluar “në një nivel tjetër”.
Detajet e projektit
Detajet e këtij projekti do t’i zbulonte vetë drejtori i Portit të Durrësit, Pirro Vengu.
Zyrtari shqiptar u shpreh se porti ekzistues nuk do të prishet, por do të ridimensionohet.
Vengu bëri të ditur se prej një viti, ka nisur puna për detajimin inxhinierik për portin e ri tregtar.
Faza e parë do të zgjasë tre vjet dhe punimet pritet të fillojnë vitin e ardhshëm.
“E vërteta është që ka pasur transparencë nga qeveria për të dyja projektet. Për portin e ri tregtar ka pasur sesione, konsultime publike të projektit”, theksoi zyrtari.
Sipas tij, filiali shqiptar i kompanisë është krijuar një vit më parë për zbatimin e këtij projekti dhe gjendet i regjistruar në QKB.
Kush është Eagle Hills
Eagle Hills dhe Albanian Seaports Development Company pritet ta zbatojnë projektin përmes një kompanie të përbashkët.
Infrastruktura aktuale portuale do të vazhdojë të mbetet në pronësi të shtetit, ndërsa mirëmbajtja, investimet e reja, shpenzimet dhe shërbimet e marinës turistike do të jenë nën përgjegjësinë e Eagle Hills.
Bëhet fjalë për një kompani private investimesh dhe zhvillimi të pasurive të paluajtshme me seli në Abu Dhabi.
Në faqen e saj zyrtare ajo ravijëzon bashkëpunimin me qeveritë, politikëbërësit dhe zhvilluesit lokalë.
UAE Real Estate Developer | Villas & Residences for sale | Eagle Hills
Kjo kompani punon me teknologjitë më të fundit dhe inovacionet e zgjuara për të zhvilluar komunitete të qëndrueshme që ndërtohen duke pasur parasysh brezat e ardhshëm.
Eagle Hills aktualisht po zhvillon një sërë mega-projektesh në Evropë, Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Këto projekte janë vendosur të ndikojnë pozitivisht në komunitetet lokale si nga aspekti financiar ashtu edhe nga aspekti i stilit të jetesës, duke mbështetur rritjen ekonomike lokale për zonat përreth.
Kryetari i saj ësht sipërmarrësi Mohamed Alabbar.
Ky i fundit, ruan interesa aktive në zhvillimin e pasurive të paluajtshme, shitjen me pakicë dhe mikpritjen luksoze.
Ai është Themeluesi dhe Kryetari i Emaar Properties PJSC, një nga kompanitë më të admiruara në botë të zhvillimit të pasurive të paluajtshme, me asete ikonike në 18 tregje ndërkombëtare.