Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke dënuar fuqimisht sulmet e radhës ruse në disa rajone të Ukrainës, ku goditja më e madhe u dha në Kiev, ka pretenduar se raketat ruse janë hedhur nëpërmjet dronëve iranianë.

Sipas Zelenskyt, Irani e ka zhgënjyer gjithë botën me ndihmën që i ka dhënë Moskës dhe tashmë rreshtimi i Teheranit është tepër i qartë në këtë pikë.

Tetë persona ndërkaq kanë mbetur të vrarë dhe 24 të tjerë kanë mbetur të plagosur, pas katër shpërthimeve të raportuara në kryeqytetin ukrainas, Kiev, në distriktin e njohur si Shevchenkivskyi.

Lajmin e ka bërë publik këshilltari i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Ukrainë, Rostislav Smirnov, i cili ka nënvizuar faktin se ky është një bilanc paraprak i situatës në Kiev.

Pas muajsh të tërë “qetësie”, shpërthimet janë rikthyer në kryeqytetin ukrainas të Kievit, i cili u zgjua mëngjesin e 10 tetorit nën bombardimet e radhës nga Rusia.

Të paktën katër shpërthime janë dëgjuar pas impaktit në tokë dhe disa raketa janë raportuar të jenë interceptuar prej sistemit mbrojtës anti-raketor.

Në një shkrim në Twitter ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, ka pranuar gjithë goditjet në rajonin e Shevchenkivskyi, në kryeqytetin ukrainas, por pa dhënë detaje e shpjegime mbi atë çfarë po ndodh konkretisht atje.

Shtëllunga tymi janë parë në disa pjesë të qytetit sipas gazetave lokale dhe vetë dëshmive të banorëve të Kievit, ku lajmi është vërtetuar edhe nga Agjencia Franceze e Lajmeve AFP si edhe media shtetërore britanike BBC.

Një pjesë e zonave të prekura ndodhen shumë pranë qendrës së qytetit, siç bëhet me dije nga dëshmitarët.

Gjithsesi, një përcaktim zyrtar i gjithë situatës është ende i pritur prej autoriteteve lokale, të cilat kanë qenë në gatishmëri të menjëhershme për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Shpërthime të tjera ndërkaq, janë raportuar edhe në rajonet e Dnipro, Khmelnytskyi, Ternopil, Zhytomyr, madje edhe në Odessa.

Mbi rrethanat në këto vende gjithsesi, ende nuk ka një qartësim të asaj çfarë po ndodh.