Duhet të ishte një fjalim që të kishte në thelb të saj punët e brendshme të partisë, por nga Asambleja e Përgjithshme e PS-së, kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet kundrejt SPAK. Shënjestra ka qenë si gjithnjë Sali Berisha, i shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA-ja, por listës iu shtua sot edhe presidenti Ilir Meta, sipas së cilit, e gjithë Shqipëria pret që SHBA-ja ta fus në ‘listën e zezë’. Për herë të parë, Rama ka artikuluar në publik hetimin e nisur ndaj ish-kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ardian Dvorani, ku sipas kryeministrit e gjitha kjo është bërë sepse kështu ka dashur Meta.
“Kampioni i anti-korrupsionit me vulë dhe me firmë të DASH është futur në hetim nga SPAK. Për çfarë? Për një denoncim të kujt? Të atij që jo unë, por gjithë Shqipëria mezi pret ta shohë para SPAK-ut. (…) Me një lehtësi të hatashme SPAK shkon dhe bën sahatin zviceran me Ardian Dvoranin. Ai sot e gjithë jetën jeton në një apartament të para viteve 90. Ndërkohë që ata që i ka vilat e rreshtuara, këta janë të gjithë duke pritur finalet e Champions Leagues”, tha Rama.
Fjalimi ka vijuar me Sali Berishën duke iu drejtuar SPAK me thirrjen “Zgjohuni” dhe “bëni detyrën e tuaj”, përballë një ‘Non Grate’ që po i bën karshillëk botës. Kjo revoltë e tij, thotë Rama, nuk ka ardhur sepse po ofendohet SHBA-ja, por sepse cënohet Reforma në Drejtësi dhe po turpërohet i gjithë vendi, nga një njeri.
“Zonja dhe zotërinj të SPAK zgjohuni dhe dilini në mbrojtje Shqipërisë se Shqipëria është e turpëruar para një ‘Non Grata që i bën karshillik një bote. Këtë turp ta mbaj SPAK, në deklaratën e DASH e ka të qartë të bëjnë detyrën e tyre në atë përfundim dhe kjo nuk është për Amerikën, revolta ime dhe e jona nuk është se po na ofendohet Amerika apo se po fyhet Amerika, jo fare, është se po delegjitimohet SPAK dhe sistemi i drejtësisë që kanë ngatërruar detyrat e drejtësisë penale me përgjegjësi administrative, që kanë ngatërruar nevojën për drejtësi me shkeljen e lirive dhe të drejtave të njerëzve”, deklaroi Rama.
Rama u kujdes të theksonte se kritikat ndaj SPAK, nuk janë sulme politike apo personale siç shumë kush mund të pretendojë, por sipas tij, ai po flet në emër të një force politike që ka inicuar dhe që ka udhëhequr Reformën në Drejtësi. Në këtë betejë, mes së mirës dhe së keqes, për Ramën, ka triumfuar kjo e fundit dhe “fajtor” për këtë bën edhe SPAK, duke thënë se durimit të tij i ka ardhur fundit.
“Deri tani e keqja kualifikohet dhe SPAK s’kualifikohet, po vë përfund këtë vend si më përpara. Kjo është tallje shumë e madhe, që SPAK deri tani përdor vetëm një lloj grepi dhe për vetëm një lloj peshku madje pa e pasur problem që të gjuaj dhe cironka me dinamik, por nuk ka as vullnet që ta përdor dinamitit për peshkaqenët që i bëjnë leksione SHBA, Europës, dhe zgjohen dhe ngrysen duke nxjerrë llum nga goja. Durimi ynë po soset, i imi po”, vijoi ai.
Këto kritika të ashpra të Ramës ndaj SPAK, janë vijimësi të fjalimit që ai mbajti edhe në Kongresin e Socialistëve të 9 prillit, duke thënë se durimi i tij, por edhe e shqiptarëve ndaj Prokurorisë së Posaçme, po i vjen fundi.