Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) se jo vetëm nuk ka ndërmarrë hapa të duhur të hetimit të profileve të larta shtetërore, por i ka ndërmarrë ato për persona të cilët janë të vlerësuar edhe ndërkombëtarisht.

 Në këtë rast, Rama i referohet rastit të Ardian Dvoranit, i cili është kallëzuar më parë nga presidenti Ilir Meta në SPAK, por çështja më pas u pushua nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Gjithçka sipas Ramës, lidhet me reformën në Drejtësi dhe rëndësinë e saj. Madje, ky është edhe kushti kryesor për integrimin në Bashkimin Evropian dhe do të jetë ndër pikat e para të diskutimeve, kur negociatat të nisin zyrtarisht.Mirëpo, rezervat për SPAK-un, kreu i Qeverisë nuk i ka kursyer, duke folur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Nga ana tjetër, persona të shpallur si të padëshiruar nga SHBA-të, “janë në mes të sheshit”.

Këtu ai nuk i referohet vetëm rastit të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili është përcaktuar si non grata nga Departamenti i Shtetit, por edhe presidentit Meta, për të cilin Rama mendon se “është non grata i parë”, edhe pse jo i shpallur zyrtarisht.

Hetimin e Dvoranit ndërkaq, mbi kërkesë të Metës, ai e ka quajtur një “turp” për SPAK-un. Mbi të gjitha, në çastin kur nuk janë marrë hapa konkretë, për të hetuar një ish-kryeministër, i cili përcaktohet si i padëshiruar nga SHBA-të.

“Zgjohuni zonja dhe zotërinj të SPAK-ut”, deklaroi Rama. “Shqipëria sot është e turpëruar përpara një të vdekuri, që i bën karshillëk një populli të tërë. Këtë turp, vetëm SPAK-u mund ta mbajë mbi shpatulla”.

Kështu iu drejtua kryeministri institucionit të lartë të Drejtësisë, duke ritheksuar se vetë Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, e ka ravijëzuar se i takon organeve kompetente, të hetojnë mbi përcaktimin që ata kanë kryer.

S’ka bisedime me Berishën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke folur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste u ndal dhe te zgjedhja e presidentit të ri dhe avokatit të popullit.

“Nëse ata sjellin propozim bindës ne do ta pranojmë menjëherë pa asnjë problem”.

Kështu deklaroi kreu i qeverisë, duke iu referuar opozitës, por duke përjashtuar kategorikisht ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Përjashtoj non gratan e madhe. PD nuk njeh asnjë vendim dhe kërkesë që buron nga ai”.

PS hapet tërësisht

Sipas kryeministrit Edi Rama dhe njëkohësisht kreut të socialistëve, jo vetëm që PS-ja do të jetë tërësisht e hapur, por synimi kryesor do të jetë ai i një forme të re bashkëdrejtimi të degëve, ku kryetar nuk do të jetë një i vetëm, por dy, me një grua dhe një burrë që mbartin funksionet.

“Nuk është thjesht një zgjedhje e Partisë Socialiste apo një hap për zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilave do t’i kushtojmë gjithë vëmendjen”, shpjegoi Rama. “Por është më së shumti e rëndësishme për gjithë këtë dekadë, sepse është domosdoshmëri që t’i japim partisë një profil të ri politik në gjithë territorin”.

Ky profil momentalisht, sipas kreut të të majtëve, i mungon momentalisht PS.

Kryetarët e degëve ndërkaq sipas tij, duhet të punojnë në bashkërendim me kryetarët e bashkive ku ata operojnë. Kjo, pasi ata janë zëri zyrtar i socialistëve në gjithë territorin dhe që duhet të punojnë më së shumti në bazë.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, theksoi nga ana tjetër se për këtë proces, ka marrë jetë një komision i posaçëm. Ky komision do të kontrollojë gjithë dinamikën e zgjedhjeve të kryetarëve të degëve.