Ish-i dërguar i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka zhvilluar një intervistë me kryeministrin, Edi Rama në median amerikane “Newsmax”.
Ndërsa u pyet për vendimin e DASH për shpalljen e ish-kryeministrit Sali Berisha ‘non grata’, Rama tha se ky është një sinjal që pandëshkueshmëria në vendin tonë po mbaron.
“Do të thosha se në njërën anë është pikëlluese që ta shohësh këtë realitet, por është sinjal që administratat amerikane vazhdojnë që të jenë zë i reformave në drejtësi. Për mua kjo ishte pak a shumë sikur njoftimi për mbarimin e tranzicionit dhe mbarimin e pandëshkueshmërisë. Askush s’është mbi ligjin”, tha Rama për Berishën.
Po ashtu ai u ndal edhe te mini-Shengeni Ballkanik, ndërsa falënderoi Grenell për kontributin e tij në këtë iniciativë. Ndërsa përmendi konfliktin e Serbi-Kosovë, Rama tha se gjithsesi është e mundur të zhvillohet jetesa pa barriera mes njerëzve dhe mallrave.
“Së pari, më duhet ta përsëris që ju s’jeni më në rolin e kontribuesit të iniciativës së mini-shengenit për të cilin ju falënderoj për rolin tuaj. Në anën tjetër është një konflikt i pazgjidhur shkaku i mosnjohjes së Kosovës nga Serbia. Por është e mundshme që të zhvillohet jetesa pa barriera mes njerëzve dhe mallrave”, u shpreh ai.
E ndërsa Ministrat e Jashtëm të BE nuk vendosën një datë për mbajtjen e Konferences se Pare Nderqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Rama u shpreh se është trishtues fakti që të 27 shtetet janë dakord që Shqipëria i ka plotësuar kriteret, por hapje negociatash nuk ka.
“Është trishtuese sepse nga njëra anë thonë që i kemi plotësuar kushtet, dhe nga ana tjetër, KE nuk ka mundësi që të marrë një vendim. Sigurisht që kjo ka të bëjë me disa probleme me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, por sërish për ne është frustruese dhe njëkohësisht tregon shumë sepse gjëja e keqe është që po mësohemi që BE po dështon herë pas here që të mbajë premtimet.“, u shpreh Rama.