Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një mesazh regjisorit të njohur Edmond Budina, një prej zërave më të fortë në mbështetje të Teatrit Kombëtar dhe kundër shembjes së tij. Rama i shkruan se është në të drejtën e tij të mendojë njësoj si partitë e atyre që s’kanë ngulur një gozhdë për artin, kulturën, teatrin e donin ta kthenin edhe TK në zgjatim të politikës së tyre por se nuk i takon të shajë, fyejë e shpifë njësoj si ata e as nuk ka të drejtë t’i imponohet vullnetit të qeverisë, bashkisë apo shumicës së komunitetit teatror.

Sa për partitë e opozitës, Rama thotë se ka lidhje autorësie me”punët e zeza për të cilat akuzohet, po aq sa ç’kanë lidhje me Shekspirin dhe Molierin ato parti që u ngulën tek teatri si në sheshin e radhës për përsheshin e radhës!”

“Dy fjalë njeriut të mirë Edmond Budina: Je në të drejtën tënde të vazhdosh të mendosh ndryshe nga Robert Ndrenika, Luftar Paja, Gëzim Kame, Viktor Zhusti, Ruzhdi Pulaha, Pirro Milkani, Albert Minga, Altin Basha e plot të tjerë që janë historia e vjetër dhe e re e skenës kombëtare…

Je në të drejtën tënde të mendosh njësoj si partitë e atyre që s’kanë ngulur një gozhdë për artin, kulturën, teatrin e donin ta kthenin edhe TK në zgjatim të politikës së tyre me bishtin kular në këmbët e Shqipërisë, ku çdo punë e jona përbaltet me fjalorin ekstrem të vulgaritetit..

Por ty nuk të takon të shash, fyesh e shpifësh njësoj si ata e as nuk ke të drejtë t’i imponohesh vullnetit të qeverisë, bashkisë apo shumicës së komunitetit teatror, sepse sharjet e fyerjet s’janë art, shpifjet s’janë trashëgimi kulturore dhe demokracia nuk është teatër absurd…

Unë s’jam as shenjt e as i pagabueshëm dhe nuk ndal dot askënd të më pikturojë si djall, por unë kam lidhje autorësie me punët e zeza që më akuzoni, po aq sa ç’kanë lidhje me Shekspirin dhe Molierin ato partitë që u ngulën tek teatri si në sheshin e radhës për përsheshin e radhës!, shkruan Edi Rama.

Rama Twitter