Këngë për zyrtarë që janë akoma në jetë? Jo si deri më sot! As tituj honorifik për zyrtarët në detyrë. Këtë standard ka nisur kryeministri Rama duke refuzuar titullin ‘Qytetar Nderi’ akorduar në Dibër.

Kryeministri Edi Rama refuzon titullin “Qytetar Nderi” i dhënë nga Bashkia e Dibrës. Në një reagim të shpërndarë për mediat, zyra e shtypit e Kryeministrit sqaron dhe motivin e refuzimit.

“Kryeministri Rama ka qenë, mbetet dhe do të jetë gjithmonë kundër titujve honorifike për politikanët në detyrë. Duke falënderuar të gjithë ata që mund të jenë nisur për mirë, Kryeministri Rama e refuzon titullin e qytetarit të nderit, dhënë sot nga Bashkia Dibër”, deklaron Kryeministria.

Në mbledhjen e kësaj të marte Këshilli i Bashkisë Dibër i akordoi titullin “Qytetar Nderi” i Bashkisë, Kryeministrit Edi Rama. Burime pranë këshillit thanë për gazetarin Enver Doçi se propozimi është bërë nga një këshilltar. Propozimi ka marrë 16 vota pro dhe 4 kundër, nga 20 anëtarë të pranishëm në këtë mbledhje.

Veritas.com.al/