Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur komentuesve kritikë pas publikimit të një videoje nga punimet për aksin rrugor Shëngjin-Velipojë. Kreu i qeverisë shprehet se akuzat për akset rrugore nuk janë ndërtuar me standarde nuk qëndrojnë për shkak se ata janë vlerësuar edhe nga partnerët evropianë.

“E kundërta është e vërtetë. Nëse ka një dallim kryesor mes çfarë ndodhte me rrugët e kënetës dhe çfarë i karakterizon mijëra kilometra rrugë të ndërtuara prej nesh janë standard. Këtë nuk e them unë por partnerët tanë të BE. Mos harro se pas një beteje të gjatë e futëm Shqipërinë edhe në korridoret europiane në 2023, dhe po ndërtojmë dy segmente të rrjetit evropian, korridorin blu dhe korridorin 8. Dhe rrugën e Kombit që u hap në kohën e kënetës, jemi përpjekur një dekadë të tërë ta fusim në standardet europiane, dhe ende nuk ka mbaruar përpjekja. Ironia pastaj se standardet mungojnë se ne paguajmë zgjedhjet, është një fyerje direkt e 800 mijë shqiptarëve, që në 11 maj do t’i afrohet 1 milionëve që votojnë mua dhe PS, pikërisht sepse ne po ndërtojmë një Shqipëri me standarde mbi kënetën e plagëve të thella që trashëguam kur morëm detyrën”, tha Rama duke iu përgjigjur një komentuesi që shkruante se “Nuk ke asnjë rrugë me standarde, sepse pjesa e standardit që i duhet rrugëve ju duhet të paguani zgjedhjet”.

Një tjetër komentues i shkruan se Shqipëria nuk mund të bëhet kurrë si Italia, kreu i qeverisë shprehet se një gjë e tillë nuk mund të pretendohet për shkak të trashëgimisë së madhe kulturore që ka vendi fqinj, por shton se mund të bëhet një “copëz Italie në Ballkan”.

Një tjetër qytetari që i shkruan se “Po sa shumë keni vjedh, në 12 vite vetëm rrugë, spitale dhe shkolla po reklamon sikur ke bërë namin…”, kryeministri i përgjigjet:

Në 12 vjet namin mbase nuk e kemi bërë, por që namin e zi Shqipërisë ia kemi hequr, ia kemi hequr dhe kjo nuk ha fare asnjë diskutim. Dje Shqipërinë e vizitonin vetëm turistët patriotikë ndërsa vjet e vizituan 12 milionë turistë nga e gjithë bota. Dje Shqipërinë nuk e vizitonin më udhëheqësit e vendeve të tjera. Ndërsa sot udhëheqësit e vendeve të tjera mblidhen në Shqipëri dhe bëjnë samite. Dje Shqipërinë dhe shqiptarët të huajt i shikonin nga lart poshtë me nënqeshje. Sot jemi ulur si të barabartë me ta për të negociuar në BE dhe kemi drejtuar disa forume që deri dje as mund të imagjinohej se mund të ishim ne në krye. Rrugë, shkolla, spitale, kurrë më shumë se në këtë dekadë nuk janë ndërtuar dhe me standarde europiane. 53 spitale të reja, 450 shkolla. Thuajse 1 mijë km korridore kombëtare, pa llogaritur mijëra km të tjera rrugë turistike , rurale e urbane. Ujë e drita jo. Dje Shqipëria kishte vetëm 4 zona urbane dhe zero rurale me ujë 24 orë. Sot ka 43 zona urbane dhe 98 rurale me 23 orë ujë ndërkohë që çfarë ka mbetur do të mbyllet në mandatin e 4. Dakord nuk  del dot nga këneta, por të paktën mos e thuaj haptazi që nuk del dot, se nuk është mirë për reputacionin e askujt që të duket haptas se nuk del dot nga këneta ”, shtoi kreu i qeverisë

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *