“Sa herë ka pasur një krizë që u është dashur ta kapërceni, keni futur në mes viktimat e Kosovës. Ju jeni gati ta bëni lëmsh edhe një herë nga e para politikën ndërkombëtare të Shqipërisë për të shitur dëngla. Cilin gjenocid doni ju që të aprovojë Parlamenti i Shqipërisë? E keni harruar ju që ai shtet i lirë, sovran dhe demokratik është krijuar nga ata pa të cilët as ju dhe as ata në Prishtinë nuk duhet të bëjnë asnjë hap? Nëse doni t’i bëni, bëjini. Por, sa kohë që ne e qeverisim këtë vend, nuk do t’i bëjmë. Nuk bëjmë hapa që të zgjidhim problemet që keni mes “foltores” dhe “gojores”, tha Rama.
Thikat që i keni ngulur ju Kosovës, duke masakruar UÇK-në, duke i ngulur thikën në gjoks Presidentit të Kosovës, nuk i shlyeni dot. Ju “patriotët” e mëdhenj jeni thika në shpinën e Kosovës”, shtoi kryeministri.
Dy projektrezoluta të demokratëve, ku kërkohet dënimi i gjenocidit serb në Kosovë, vijojnë të mbahen të bllokuara në sirtarët e Kuvendit. Sot, në seancë plenare, socialistët do të paraqesin draftin e vet, ku nuk flasin për gjenocide, por hidhen poshtë si të pabazuara pretendimet për trafik organesh në Shqipëri dhe Kosovë gjatë luftës, që më pas u bënë pjesë e një qëndrimi edhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.