Teksa përpara Kuvendit po mbahet një protestë e heshtur nga gazetarët kundër miratimit të projektligjeve mbi paketën anti-shpifje, Edi Rama ka reaguar me emra konkretë sa i takon shpifjeve të shumta, të adresuara sipas kryeministrit ndaj vetë atij, familjes apo personave të tjera.

Rama i mëshoi faktit se paketa në fjalë nuk është për të, siç vetë deklaroi mund të jetojë dhe mbijetojë edhe 1000 vite të tjera, por ndaj kujtdo që nuk e kanë një mikrofon për të thënë të vërtetën e tyre.

“Liria e fjalës, e shtypit, për të thënë çfarë të duash është edhe përgjegjësi në të njëjtën kohë, jo vetëm e drejtë. Po ata që janë atje kanë publikuar lajmin se qeveria se qeveria fshihte 100 të vdekur në morgun e spitalit duke krijuar një situatë kaotike, me familjarë që kishin humbur kontakt me anëtarë të familjes që ishin mirë. Po ju jap raste shumë të freskëta. S’po ju flas as për veten time, familjen time, nënën time, djalin tim, as për familjarët e atyre që janë mbrapa meje, po flas për ata që ndryshe nga ne nuk e kanë një mikrofon për të thënë të vërtetën e tyre, nuk i kanë kushtet tona për të qenë sidoqoftë për t’u thënë atyre lexojini shpifjet dhe shihni si është version i të vërtetës. E kam për ata sipërmarrës që janë detyruar të paguajnë lekë që të hiqen lajme të rreme se qumështi është i skaduar, specat me hormone dëmtojnë fëmijët, buka është me niseshte, djathi me miell, ndërkohë që një lajm i tillë u shkatërron biznesin”, tha Rama.

Më tej kryeministri Rama shtoi:

“Le të kthehemi te përmbajtja. Kjo nuk është çështje opinioni, lirie shprehjeje, është çështje e kufizimit të lirisë së shpifjes… duke u treguar njerëzve qindra pallatet e mia në Spanjë dhe të tjera të tjera, të cilat ose duhet të më largojnë mua nga jeta publike ose duhet të demaskohen. Si mund të vazhdojë kjo bashkëjetesë kështu. Harron Rudina Hajdari veten e vet, vajza e heroit të demokracisë, ditën kur mendoi siç mendon vet e pa vetë se çfarë i bënë. Liri është kjo? Për të thënë u shite, more lekë, u korruptove, këto s’janë liri janë akuza dhe për çdo akuzë të tillë çdokush duhet të japë fakte ose duhet të përballet me njeriun që akuzohen. Kujt ia tregojnë këto lirinë e fjalës. Del Peçi Vasili për lirinë e shprehjes, 6 fjalë i ka sharje dhe shpifje, po bëjmë ligj që të mbrojmë veten nga Peçi Vasili, hero i fjalës së lirë. Artur Zheji e bëri vajzën tonë dashnore të ministrit, pastaj shkoi në gjykatë dhe humbi gjyqin atje. Një tjetër hero atje jashtë është Mark Marku që jo më larg se dje pashë një reflektim në gjithë portalet e lirisë, nuk la fjalë të ndyrë pa thënë, ky është profesori i letrave Mark Marku që duhet markuar me pullë të kuqe kur merr përsipër të flasë për lirinë. Nëse një qytetar lexon tërë këto të zeza ka të drejtën të dijë nëse janë vërtet të tilla, jemi të gjithë ne këtu njësoj? Ku është këtu liria e shprehjes që po cenohet?”

Veritas.com.al/