Kryeministri Edi Rama ndodhet në Kosovë në një konferencë për shtyp me homologun Albin Kurti, qeverisë të së cilit i dha plotësisht të drejtë për reciprocitetin e targave dhe bëri thirrje për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë.

Edi Rama: Më vjen fort mirë të vizitoj Prishtinën pas Asamblesë së OKB ku çështja e njohjes së Kosovës ishte një nga përparësitë e vizitës sonë në Njju Jork dhe mbetet e tillë. Po ashtu një nga përparësitë e Shqipërisë si anëtare e OKB do të jetë pikërisht nxitja e njohjes nga të gjithë e realitetit të Kosovës si përmbyllje e natyrshme edhe formalisht e shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Është Serbia që duhet ta njohë dhe është për të ardhur keq që në vend të përparimit konkret të çlirimit përfundimtar nga e shkuara, jemi dëshmitar të manovrave teatrale në kufi me Kosovën.

Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovën sikundër pretendohet nga Beogradi zyrtar, madje edhe nga disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur në fushën e luftës më shumë se 20 vjet më parë sikur kanë dalë nga varri me pretendimin që do mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serb në Kosovë. Në fakt qytetarët serb në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush, madje ju paguhen edhe faturat e energjisë elektrike si askujt askund, jo vetëm në Ballkan por edhe në botë.

Ato manovra sjellin në skenë hijen e së shkuarës dhe nxisin vandalizëm të institucioneve që janë për t’i shërbyer qytetarëve serb që janë pengje të stanacionit të dialogut së Serbisë dhe Ksoovës. Targat janë e drejtë legjitime por dhe marrëveshje e arritur me kohë mes dy qeverive respektive. Qëndrimi i Shqipërisë, të cilin e gjykoj të drejtë dhe të pandryshuar që nga çasti i parë kur u shfaq ky konflikt, e drejta këtu është me Kosovën dhe pikë dhe Serbia nuk ka asnjë të drejtë të kthejë targat dhe “mizën ta bëjë buall” a thua se Kosova po paralajmëron luftë kur në fakt po kërkon zbatimin e marrëveshjes.

Dua të përsëris qëndrimin tonë se tani më që problemi është shtruar dhe askush nuk e diskuton domosdoshmërinë e regjimit të reciprociteti të targave duhet të bëhet kujdes se nuk cenohet siguria dhe të mos kthehet problem mes Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Shqipëria e ndan bindjen se problemi të zgjidhet me dialog dhe besoj se mund të ndodhë duke shmangur konfliktin. Natyrisht që edhe këtu duhet të jemi shumë të qartë se i takon qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës si do ta trajtojnë këtë situatë delikate, por mund të them se është mundësi e mirë për të treguar gatishmërinë për dialog të barabartë dhe për ta çuar në një nivel të ri dhe me mbështetjen e miqve dhe partnerëve strategjik të Kosovës që të zëvendësohen forcat ushtarake me forcën e arsyes.