Kryeministri Edi Rama ka mbyllur në Vlorë fushatën për votimet e 30 qershorit, ku sërish fjalimin ia ka kushtuar opozitës dhe vendimit të saj për të mos hyrë në zgjedhjet lokale. “Kush del kundër popullit, e pëson si karnavalet e Haxhi Qamilit”, ishte mesazhi i Ramës për opozitën, që, sipas tij, më 30 qershor do të marrë goditjen përfundimtare dhe që do të sjellë ndarjen e Shqipërisë nga politika 30 vjeçare që e ka mbajtur peng

Rama nuk i kurseu paralajmërimet as për kryebashkiakët e djathtë, kur theksoi se nuk duhet të dëgjojnë urdhrat e Lulzim Bashës dhe pavarësisht përpjekjeve të tyre për të bllokuar KZAZ-të, shqiptarin nuk ka bravë që e ndalon.

“Dua t’u dal borxhit gjithë kryebashkiakëve që Luli i nxori pa punë. Ne donim një garë me ju, por ju nuk u paraqitet në fushën e betejës se i hytë luftës kundër Shqipërisë. Ata ta dinë mirë, janë katandisur që shkojnë dhe ndërrojnë bravat e shkollave që të ndalojnë popullin të votojë, keni parë kështu ju?! Po ku ka bravë që e ndalon shqiptarin të hapë derën”, u shpreh Rama.

Ai akuzoi PD dhe LSI se janë kthyer në “organizata të dhunshme”, pa harruar edhe kritikat ndaj presidentit Ilir Meta.

“Nuk kishim parë që godina e presidentit të kthehej në epiqendrën e shtabit të një revolucioni imagjinar dhe presidenti të shfaqej si Haxhi Qamili i ringjallur. Kurrë më parë Shqipëria nuk ishte vënë në një sulm të koordinuar, që nuk synonte të fuste frikën e tmerrin në çdo familje, por synonte të dërrmonte e gjunjëzonte vetë imazhin, dinjitetin e qenien e këtij vendi në sytë e botës. Sot Haxhiu i dytë, baba Xhikja, thotë sa të kem Lulin dhe Fallxhoren me vete nuk pyes për SHBA e BE”, tha Rama.

Partia Socialiste do të hyjë në votimet e 30 qershorit, ku në një numër të konsiderueshëm të bashkive do të jetë e vetme në fletën e votimit, ndërsa në bashkitë e tjera do të sfidohet nga kandidatët Bindjes Demokratike, partia e re e krijuar nga Astrit Patozi.