Kryeministri Edi Rama gjatë turit Ballkanik u prit në Beograd nga presidenti Aleksandër Vuçiç, ndërsa foli për tensionet në veri të Kosovës. Kryeministri Rama u shpreh se rruga e vetme është rruga e dialogut dhe jo e tensioneve.
Sipas tij, baza që garanton zbutjen e klimës së acaruar mes Prishtinës dhe Beogradit është plani franko-gjerman.
“Ne jemi mjaftueshmërisht mësuar që t’i ndajmë opinionet tona në mënyrë të drejtpërdrejtë, të biem dakord që nuk biem dakord por kjo s’na ndalon bashkëpunimin dhe paqen. Për të punuar dhe bashkëpunuar konkretisht duhet që në momente si ky, e është një moment specifik, të evitojmë që ndarja e gjithë pikëpamjeve në publik të përkeqësojë klimën. Me kaq mjafton. Rruga e vetme është jo rruga e rritjes se tensioneve por rruga e dialogut dhe e dakordësisë mbi marrëveshjen që buron nga plani franko-gjerman. Nuk dua të përsëris ne Beograd çfarë kam thënë në Prishtinë, por dua të shtoj se askush nuk duhet të nënvlerësojë përshkallëzimin e tensionit. Të mos humbasim kohë dhe energji të pafundme me pasoja të pakthyeshme”, tha ai.
Gjatë konferencës, Vuçiç u shpreh se pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme me Shqipërinë lidhur me çështjen e Kosovës, Serbia do vazhdojmë të kontribuojë për marrëdhënie më të mira mes dy vendeve.
“Folëm për pikëpamjet tona shpesh të ndryshme sa i takon situatës në Kosovë, por nuk do ishte e drejtë të thoshim diçka këtu në prani të kryeministrit shqiptar dhe s’besoj se do e bëjë edhe ai. Diskutimet e tjera do i lëmë gjatë mbrëmjes. Pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme me Shqipërinë do vazhdojmë të kontribuojmë për marrëdhënie më të mira”, theksoi presidenti serb.