Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë të martë Beratin, nga ku sipas kryeministrisë do të nisë edhe puna në kuadër të Programit Kombëtar të Efiçencës Energjetike.
Programi po shtrihet në shumë qytete të vendit, si në Durrës, Peshkopi, Elbasan, Korçë, Vlorë, Orikum e Shëngjin, ku punohet për rigjenerimin e banesave me sistemet kapot, termoizolimin, hidroizolimin e tarracave, heqjen nga tarracat dhe qendërzimin e depozitave të ujit, masa që ulin deri në 30% konsumin e energjisë dhe lehtësojnë ngarkesën në rrjet.
“Kjo ka të bëjë direkt me efiçencën e energjisë, sidomos në këtë kohë që po kalojmë, kjo prek, jo vetëm banorët nga pikëpamja estetike e lagjes, por mbi të gjitha edhe në xhepin e tyre. Ky është një program i jashtëzakonshëm pasi sjell në zonat apo në skutat më të errëta të qytetit, po e quajmë një lloj shprese dhe fillon gjallëron vet jetën komunitare në këtë zonë. Këtu kemi afërsisht 17 pallate, do të fillojmë me fazën e parë. Kemi dhe shkollën që është gjithashtu e përfshirë në projekt dhe realisht është një bllok me intensitet shumë të madh dhe pallatet janë me numër të lartë banesash. Me ritmet që po ecim, besoj do mbarojmë brenda muajit nëntor.” – u shpreh Kryetari i Bashkisë së Beratit Ervin Demo.
Rama vizitoi në Berat edhe punimet për unazën e re të Beratit. Aksi është i gjatë 4,1 km, nga ku 3 kilometra është rrugë e re që nuk ka ekzistuar më parë.