Në mbyllje të vizitës së tij dyditore në Jerusalem, Kryeministri Rama mori pjesë në aktivitetin “Nata e Nderit”, organizuar në emër të të gjithë shqiptarëve, nga izraelitët. Rama tha se historia e bashkëjetesës mes hebrenjve dhe shqiptarëve nuk ka nisur në Luftën e Dytë Botërore por është një histori që ka qenë e njëjtë ndër shekuj.
“Është e rëndësishme të mos harrojmë se hebrenjtë në Shqipëri janë shpëtuar njëlloj si nga të krishterët ashtu edhe nga myslimanët. Shqiptarët, të krishterë apo myslimanë, rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë. Kjo është një krenari kombëtare, por edhe më shumë është një thesar i trashëgimisë kombëtare. Dhe ne do të bëjmë çmos ta mbajmë gjallë”, tha Rama.
Fjala e plotë e Ramës
Të nderuar të ftuar, i dashur Sasha, unë dhe gruaja ime Linda ndihemi kaq të privilegjuar që pas 7 vitesh kthehemi në Izrael. Duke hyrë këtu më thanë që miku im i parë hebre, ishte këtu. Një njeri që e kujtoj me shumë respekt, që nuk e kisha pare ende në sallë, ish ambasador në Shqipëri, Ehud Gol, shumë i lumtur t’ju shoh ambasador.
Ju ishit hebreu i parë që më thatë sesa e vështirë ishte dhe ju jam shumë mirënjohës. Shtatë vite në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Izraelit si dhe midis shqiptarëve dhe hebrenjve, gjëra të mira kanë ndodhur, por fatkeqësisht për botën kanë qenë shtatë vite hidhërimi, shpesh ankesash kur bëhet fjalë për përhapjen e antisemitizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe gjuhës së urrejtjes dhe përmes kaq shumë rrjeteve që keqinfomojnë. Dhe ja ku jemi në këtë darkë bujare të ofruar nga një njeri që e çmoj për shpirtin e madh, Aleksandër dhe mes kaq shumë miqsh hebrenj dhe shqiptaro-hebraikët e komunitetit hebraik.
Vetëm një Psalm mund të na ndihmojë që ti shndërrojmë ndjenjat në këto çaste në fjalë kuptimplota: “Shikoni, sa e mirë dhe e këndshme është kur vëllezërit shkojnë mirë në unitet!
Është si vaji i çmuar në kokë, duke zbritur në mjekër, në mjekrën e Aaronit, zbret në jakën e rrobave të tij! Është si vesa e Hermonit, që bie në malet e Zionit! Sepse atje Zoti ka urdhëruar bekimin, jetë përgjithmonë”. Ajo që na bashkon si vëllezër, është gjithçka përveç një ëndërr. Të vizitosh Izraelin në përkujtim të këtij fakti është një nder dhe privilegj i vërtetë dhe jam i kënaqur, si shqiptar, që ai vazhdon të jetë i dashur dhe i paharruar me kalimin e kohës. Është një fakt i njohur që Shqipëria ishte një mike e komunitetit hebre në kohën e tyre më të errët, një fakt për të cilin ne krenohemi.
Pjesa vetëmohuese që gjyshërit tanë kanë marrë në këtë përpjekje pa fjalë për të shpëtuar jetë njerëzore, jetë hebrenjsh, është ndoshta një rrugë e drejtpërdrejtë që të çon në parajsë, por mbi të gjitha, është ajo që na lidh në mënyrë të palëkundur me më të mirën e njerëzimit. Është e drejtë të kujtojmë se nga viti 1932 deri në vitin 1945, gjatë ngritjes më të tmerrshme të nacional-socializmit dhe pushtimit nazist, Shqipëria mbajti po njësoj komunitetin hebraik me të drejta të plota, duke ndëshkuar këdo që tentonte t’ia shkelte të drejtat.
Dhe ka një fakt i panjohur nga hebrenjtë, madje dhe nga miqtë e mi hebrenj, që Shqipëria e asaj kohe miratoi të vetmin ligj me diskriminim pozitiv në Europë, aq sa njohu Shabatin dhe ta quante ditë pushimi. Ajo që shqiptarët nga të gjitha rrëfimet dhe të gjitha shtresat shoqërore, nga mbreti e deri tek bariu kanë bërë për të shpëtuar hebrenjtë dhe për të siguruar mirëqenien e një mbështetjeje të popullit të Izraelit deri në zhdukjen e stuhisë, fuqizon vetëdijen tonë se si popull, ne jemi krijuar për vepra të mëdha që mund të na bëjnë të denjë për njëri-tjetrin dhe të denjë për mbarë njerëzimin.
Vërtet e denjë për mbarë njerëzimin, sepse si mund të përshkruhet ndryshe politika e një kombi kur në vitet 1943-1944, nën presionin e drejtpërdrejtë të Wehrmacht-it, vetë qeveria kolaboracioniste në vend, së bashku me katër krerët kryesorë fetarë të vendit pranojnë të japin nazistëve asetet rezervë të thesarit, por kategorikisht refuzojnë t’i dorëzojnë listat e hebrenjve të strehuar në vend, veçanërisht të huajve, pa kombësi dhe të pastrehëve mes tyre. Ndërsa identifikimi i të gjithë hebrenjve që u detyruan të linin shtëpitë e tyre gjatë përparimit nazist antisemit gjetën strehë dhe mbrojtje në Shqipëri dhe u shpëtoi jetën nga shfarosja, ne bëhemi gjithnjë e më të sigurt se numri i hebrenjve të shpëtuar në Shqipëri është shumë më i konsiderueshëm se numri prej 2265 të ekspozuar që nga viti 2005 në Muzeun Memorial të Holokaustit.
Vitin e kaluar pata nderin t’i jepja të nderuarit rektor të Yad Vashem listën e re me 3750 emra. Ky numër mund të duket të jetë disi profetik kur dikush shikon prapa në histori. Ishin 3000 hebrenj në vitet 70-73 pas Krishtit, menjëherë pas shkatërrimit të tempullit, që gjetën strehë në Shqipëri. E sjell këtë në pah sepse nuk ka shumë mes komunitetit hebre që e dinë historinë, por edhe ata që mund ta dinë, nuk ishte vetëm Lufta e Dytë Botërore dhe Besa. Kjo shkon shumë më tej në histori. Këta 3000, pasi rrëmbyen me sukses një anije romake që i mbante për t’u mbajtur në skllavëri këta hebrenj u ankoruan në brigjet shqiptare dhe themeluan qytete të lulëzuara si Finiqi ose Orikumi. Rreth 3000 ishin edhe hebrenjtë sefardimë të arratisur nga Reconquista në Spanjë dhe Portugali në fund të shekullit të 15, të cilëve Shqipëria dhe veçanërisht zona urbane e Vlorës u ofronte liri, siguri dhe prosperitet.
Në vitin 2018, hapëm një muze të vogël të quajtur “Solomon” në Berat, kushtuar historisë së hebrenjve në Shqipëri, dhe tani po ngremë një muze hebre në Vlorë, në “Rrugën e Hebrenjve” në qendrën e qytetit historik. Në këtë qytet, një qendër e rëndësishme për komunitetin shqiptaro-hebre, prej shumë vitesh ekzistonte një kafene me pronësi hebreje, e quajtur “Pasticeri izraelite”. Sipas fjalëve të pronarëve të saj, “Shqipëria ishte ndër vendet e rralla në të gjithë botën ku një biznes i vogël mund të mbante Yllin e Davidit në vitrinë dhe të përqafohej me gjithë zemër nga komuniteti vendas”. Jo rastësisht zgjodhëm Vlorën si qytetin që historia dhe miqësia jonë e përbashkët do të përkujtohet në një muze.
Muzeu Hebre Shqiptar do të jetë një institucion modern që do të mbajë gjallë këtë histori dhe do t’u tregojë brezave të ardhshëm se mikpritja shqiptare nuk është thjesht një shprehje. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar për ndërtimin në qendër të kryeqytetit të Qendrës Kulturore Hebraike, që do të jetë një muze ku të gjithë do të rikujtojnë Luftën e Dytë Botërore si dhe do të jetë qendër bashkëkohore hebraike për kulturën, artin, politikën, dhe cdo gjë tjetër që prezanton tek njerëzit tanë, Izraelin.
Dhe në të njëjtën kohë do të tregoj jo vetëm që kjo histori e bashkëjetesës midis shqiptarëve dhe hebrenjve, filloi me Luftën e Dytë Botërore, por përfshin shumë shekuj të tërë. Është e rëndësishme të theksohet se hebrenjtë në Shqipëri u shpëtuan nga familjet shqiptare myslimane dhe të krishtera. Ata vunë përpara identitetit fetar atë njerëzore duke i qëndruar besnikë thënies së vjetër se “Shtëpia shqiptare është e Zotit dhe e miqve”. Miku është jo detyrimisht ai që ftohet, por ai që kërkon ndihmë e troket në derë dhe që mund të jetë i panjohur. Sipas zakonit miku strehohet dhe mbrohet. Deri më tani 73 shqiptarë, myslimanë dhe të krishterë, janë njohur si të drejtë ndër Kombet dhe shumë të tjerë, duke përfshirë edhe zyrtarë të lartë të asaj kohe, ende presin të njihen si të tillë.
Ndava me disa miqtë të mi hebrenj historinë e kolaboracionistëve, anëtarë të qeverisë shqiptare kukull naziste, që bënë përpjekjet për të nxjerrë 4 hebrenj nga burgu, të arrestuar nga komanda naziste dhe miratuan dekretin për pagesën me 1500 monedha ari për secilin prej tyre. Iu lutën komandës gjermane t’i lironin, sepse për ta do të ishte turp për ta të mos përpiqeshin. Këta 4 hebrenj u liruan.
Vitin e kaluar, ne vendosëm një memorial për viktimat e Holokaustit, në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit. Mbishkrimi i memorialit thotë në anglisht, hebraisht dhe shqip: “Shqiptarët, të krishterët dhe myslimanët rrezikuan jetën e tyre për të mbrojtur dhe shpëtuar hebrenjtë”. Ne jemi të ndërgjegjshëm që ajo çfarë bënë gjyshërit tanë nuk është thjesht vetëm një kapitull i ndritur i historisë sonë, por është më shumë. Është një thesar i trashëgimisë kombëtare. Ne do të bëjmë çmos ta mbajmë gjallë dhe që fëmijët e fëmijëve tanë ta kuptojnë sesa e çmuar është kjo pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare. Në të njëjtën kohë është e natyrshme për Shqipërinë që të ketë qëndrimin e saj kundër antisemitizmit dhe të sigurohemi si qeveri që vendi ynë të jetë në pararojë kundër anti-semitizmit.
Ashtu si e kam shpjeguar më parë, nuk ka të bëjë me Izraelin, nuk ka të bëjë me hebrenjtë, por me njerëzimin sot dhe sa e rëndësishme është të mos angazhohemi në ndonjë formë hakmarrjeje, me qëndrime fyese ndaj të tjerëve sepse mund të jenë ndryshe nga origjina, etnia ose feja. Izraeli është në gjendje të mbrojë veten, por bota duhet të kuptojë që lufta kundër anti-semitizmit nuk është mbrojtje vetëm për Izraelin, por është për mbrojtje të vlerave të veta, parimeve dhe vetvetes.
Pa marrë më shumë kohë nga ju, megjithëse nuk është ide e mirë, të kesh një ballkanas dhe një shqiptar të flasë gjatë një darke, sepse rrezikoni të mos hani, dua ta përfundoj fjalën me Sashën. Nuk e përshkruaj dot ndjesinë kur e takova me një grup hebrenjsh duke trokitur në derën e zyrës sime duke më kërkuar ndihmë për afganët e tyre. Kur them afganët e tyre them për kohën kur NATO-ja po tërhiqej nga Afganistani. Kjo ishte një sprovë e rëndë për të gjitha vendet e NATO-s, përkundrejt moslënies pas të afganëve që kishin punuar për ne, që na besuan dhe ekspozuan veten për ato çka ne përfaqësonim për ta. Që në sekondën e parë besova se Shqipëria nuk mund të tërhiqej si vendet e mëdha e të pasura dhe duhej të hapnim dyert e të mirëprisnim me mundësitë tona këta afganë, që përndryshe do të ishin viktima të hakmarrjes së talebanëve.
Ne nuk kishim talebanë fetarë, por ata ateistë që na sunduan e na izoluan duke na thënë që tre brirët e djallit ishin imperializmi amerikan, imperializmi sovjetik dhe zionizmi izraelit. Dhe e bëmë, jo thjesht për afganët, por për veten, fëmijët, për atë që jemi dhe memorien sepse mund të mos jemi të pasur, por kujtesën e kemi ende të fortë. Dhe kjo është e rëndësishme. Prandaj, kur Sasha erdhi dhe më kërkoi çfarë mund të bënim për afganët e tyre ishte me të vërtetë diçka që do të më ngelet për gjithë jetën. Menjëherë e kuptova dhe ndjeva që ishte një hebre që ndjente se kishte borxh ndaj disa të tjerëve me origjinë e fe tërësisht tjetër, por që në atë moment historik ishin të kërcënuar me shfarosje ashtu si paraardhësit tuaj. Kështu duhet të jetë ndaj anti-semitizmi është një kauzë për të gjithë, jo vetëm për Izraelin dhe hebrenjtë.
Prandaj te jesh kundër anti-semitizmit nuk është vetëm të ngresh flamurin e Izraelit, por është të mbash lart flamurin e njerëzimit. Faleminderit. Shpresoj të mos kem qenë i mërzitshëm dhe fjalimi t’iu ketë shijuar. Faleminderit!