Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij, në organizimin për nisjen e stërvitjes së madhe ushtarake “Defender Europe 2021” tha se regjimi komunist e kishte brumosur popullin shqiptarë me idenë se të huajt nuk duheshin lënë të shkelnin në Shqipëri dhe se ata ishin e keqja jonë me e madhe.

Por sipas kryeministrit ky mentalitet ka ndryshuar me kohën dhe sot organizojmë në Portin e Durrësit stërvitjen më të madhe ushtarake, duke i lënë porosi pjesëmarrësve në të që brezat që vijnë t’i ushqejnë me idenë e bashkëpunimit mes popujve që duan liri dhe demokraci.

Rama: Kam bindjen se kjo stërvitje është shumë më tepër sesa një moment i rëndësishëm i punës së përbashkët në funksion të demonstrimit të kapaciteteve tona.

Gjenerata jonë lindi dhe u rrit në gjysmën e jetës deri këtu me idenë se ju nuk duheshit lënë të shkelnit në këtë vend dhe ne të gjithë u brumosëm nga propaganda e regjimit të shkuar me bindjen se ju jeni e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë Shqipërisë, por jo vetëm, botës mbarë.  

Unë dua shumë të besoj që pas zbarkimit tuaj në Shqipëri edhe ju do ju ndodhë ajo që i ndodh të gjithëve, që do doni të riktheheni përsëri. Shqipëria nuk është në vend i këshilluar për të ardhur për shkak të steriotipeve, por Shqipëria është një vend që kush vjen dëshiron të kthehet përsëri. Kam dëshirë dhe besim që kjo do të ndodhë edhe me ju.

Besoj që ajo çka ne të gjithë duhet të mbajmë parasysh është detyrimi për t’i përcjellë gjeneratave të tëra këtë amanet për të ardhmen e vendit tonë dhe botës së madhe të popujve që duan të jetojnë në liri dhe në demokraci, duke u investuar sëbashku që të bëjmë edhe më shumë për brezin e ri në të gjitha aspektet.

VERITAS.COM.AL