(Foto: Vaksinat qe nisen nga Stamboli drejt Rinasit)
Shqipëria ka siguruar 1 milionë vaksina kineze anti-COVID. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministrit Edi Rama, i cili sot mbërriti nga Turqia, pas marreveshjes së arritur me kompaninë turke për të marrë doza të vaksinës kineze. Rama tha se sot mbërrijnë 192 mijë doza, ku detajet do t’i jap në konferencën për mediat që do të ketë pak minuta më pas.
“Kemi siguruar 1 milionë vaksina të tjera. Kontraktuam për momentin gjysmë milionë doza brenda 60 ditësh. Sjellim sot në Tiranë 192 mijë. Për më shumë pas pak orësh në Rinas dhe kur ju them do t’ia dalim, mos e dyshoni kurrë që do t’ia dalim”, shkruan Rama.
Vaksina kineze po përdoret gjerësisht në Kinë edhe në disa vende të Europës, ndërsa agjencia europiane e barnave po kryen studime për të miratuar përdorimin e vaksinës ruse Sputnik V. Ndërkohë që më herët, Shqipëria ka siguruar rreth 90 mijë vaksina Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V. Nga java e ardhshme do të fillojë vaksinimi masiv për të moshuarit.
Procesi i vaksinimit anti-COVID vijon që prej 11 janarit, në qendrat e përqendruara të vaksinimit si dhe në shkolla për arsimtarët. Gjatë ditës së djeshme janë kryer 2,302 vaksinime anti-COVID dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 53,992 vaksinim e për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.