Kryeministri Edi Rama ka prezantuar nismën e Revolucionit Digjital për bankat e nivelit të dytë për të lehtësuar klientët dhe sipërmarrjen nga pengesat e vonesat e shërbimeve. Rama kërkon që të marrin fund radhët në dyert e bankave dhe të rriten shërbimet online.

Rama thekson që të bëhen pagesat si në e-albania dhe të ketë funksionim sa më të mirë të platformës me sistemin bankar. Ndër të tjera bëri me dije se do të ngrihet grupe pune dhe ftoi drejtuesit e bankave që të dërgojnë një përfaqësues që ka mentalitetin e revolucionit dixhital.

“Sa i takon bankave ne jemi të fundit në rajon, se në pjesën tjetër po se po.

Duhet të jemi shumë realistë, kjo është një mospërputhje shumë dramatike, me aspektin tjetër të gjithë punës së sistemit bankar, dhe me vetë qendrueshmërinë e një sistemi bankar të konsoliduar dhe shumë profesional. Radhët në dyert e bankave që në sabah, me njerëz që i orienton një roje aty jashtë, nuk janë ngjarje të përditshme të kontinentit ku jetojmë.

Ne jemi këtu për t’ju thënë që Shqipëria nuk mund të jetë në një vend aq të lartë në klasifikimin e përgjithshëm duke lënë pas dhe vende të zhvilluara dhe natyrisht kjo është mrekullia e teknologjisë që i jep mundësinë një vendi që është në zhvillim apo ka prapambetje që të bëjë kapërcime të mëdha në njësi kohe të shkurtër. Nga ana tjetër jemi ku thërret qameti në shërbimet online të bankave.

Çdo muaj, saktësisht në datën 14, shumë sipërmarrje shkojnë në banka për të paguar TVSH. Prap me datë 20 shkojnë për të paguar sigurime shoqërore, një ritual që nuk besoj që dhe juve ju vjen mirë ta keni, është konsum nervash, imazhi në tërësi, i denjë për vite e vite. Duke qenë se qytetarët sot kanë të gjithë aksesin e lehtë dhe shpejtësinë e marrjes së shërbimit nga e-albania, është normale që të ankohen për bankat, qoftë qytetarët, qoftë sipërmarrjet.

Nuk ka pse të niset për tek dera e bankës për të paguar për një shërbim publik, por njësoj siç bën e-albania, mund të kryejë dhe pagesën po aty, dhe kjo mund t’i konfirmohet në kohë reale. Ky është një transformim që nuk është koha ta diskutojmë, por ta bëjmë”, tha Rama.