Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i bëri thirrje president serb Aleksandër Vuçiç që të mos ushqejë me asnjë lloj justifikimi grupe të caktuara në veriun e Kosovës.

Lajmi u bë i ditur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun spanjoll Pedro Sanchez.

“Unë i bëj thirrje autoriteteve në Beograd dhe presidentit serb që të mos ushqejnë me asnjë lloj justifikimi dhe me asnjë lloj alibie grupe të caktuara në veriun e Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje”, u shpreh fillimisht Rama.

Kjo e fundit, sipas tij, jo vetëm duhet zbatuar por është e vlefshme që të zbatohet për t’i dhënë më shumë besueshmëri dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre iu paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiç dhe Petkoviç janë përgjegjësit kryesorë për trazira”.

Kështu reagoi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e së dielës pas fillimit të bllokadave rrugore nga strukturat ilegale serbe në veri.

Kurti u shpreh se “organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial”.

Deklarata

Rama e konsideroi përshkallëzimin e 31 korrikut si “aspak të arsyeshëm”.

“Mbrëmë vonë ka pasur një përshkallëzim aspak të arsyeshëm. Qeveria e Kosovës ka të drejtën dhe detyrën për të ushtruar sovranitetin territorial që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit”, nënvizoi kryeministri.

Sipas tij, marrëveshjet janë për t’u zbatuar jo për t’u diskutuar.

Rama e përshëndeti gjithashtu vendimin për shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të marrëveshjes për reciprocitetin.

Qeveria e Kosovës njoftoi të dielën në mbrëmje, para futjes në fuqi të masave për ndalimin e hyrjes në territorin e Kosovës për personat me dokumente identifikimi dhe targa rregulluese serbe, se është e gatshme ta shtyjë zbatimin e këtyre vendimeve deri më 1 shtator.

Më pas, pritet heqja e barrikadave dhe vendosja e lirisë së plotë të lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Njoftimit të Qeverisë së Kosovës i ka paraprirë shkëmbimi i mesazheve diplomatike dhe thirrjeve për qetësimin e tensioneve.

Kyçe ka qenë thirrja e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, drejtuar autoriteteve kosovare që të shtyjnë për 30 ditë zbatimin e vendimeve.

Kjo e fundit, ngriti më këmbë udhëheqjen serbe dhe serbët e Kosovës reaguan duke vendosur barrikada në rrugët në veri drejt vendkalimeve Jarinje dhe Bërnjak.

Misioni Ushtarak Ndërkombëtar i Kosovës (KFOR) njoftoi të dielën se situata e sigurisë në veri të Kosovës është e tensionuar, se po e monitoron nga afër situatën dhe se është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti.

Ata shtuan se misioni i NATO-s është plotësisht i fokusuar në zbatimin e mandatit të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe paqësor dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të masave të reciprocitetit dhe i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të gjitha çështjet e hapura t’i zgjidhin përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Borrell, i cili është edhe ndërmjetësi kryesor në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka ripërsëritur se normalizimi i marrëdhënieve është vendimtar për përparimin e të dyja palëve në rrugën drejt integrimit në BE.