Kryeministri shqiptar nuk do ta anulojë turin e tij ballkanik, pavarësisht se Albin Kurti nuk pranoi që ta takojë.
Edi Rama do të fluturojë këtë të enjte në mëngjes në Shkup për t’u takuar me kryeministrin Kovaçevski, dhe më pas do të vijojë sipas planit, vizitën në Prishtinë.
Pavarësisht refuzimit të kryeministrit Albin Kurti për ta pritur në një bisedë kokë më kokë, Edi Rama do ta vizitojë Kosovën, por do të takohet vetëm me presidenten Vjosa Osmani.
Ky takim është konfirmuar nga ABC News përmes burimeve konfidenciale.
Vetë Edi Rama, në një dalje për mediat, nuk e komentoi gjatë përplasjen e re me Albin Kurtin, por vetëm konfirmoi se ai do të jetë në Kosovë të enjten në mbrëmje.
“Jam këtu vetëm për këtë vendim, sa i përket vajtjes nesër në Prishtinë dhe gjithë turit, do të flas kur të jetë koha për të folur që është nesër në Prishtinë.” -u shpreh Rama, në përgjigje të interesit të medias në përfundim të mbledhjes së qeverisë.