Nga: Radio Evropa e Lirë
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, thotë se kupton që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, mund të kenë të drejtë të ushtrojnë funksionet e tyre.
Megjithatë, von Cramon thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse hyrja e tyre në ndërtesat komunale do të bëhet vetëm me prezencën e forcave policore të armatosura rëndë, atëherë ata kanë “zero legjitimim politik”.
“Mendoj se shumë gjëra shkojnë keq në këtë shtet nëse ky është realiteti, nëse shohim makina të blinduara, policë të armatosur rëndë, njësi speciale që 24/7 ruajnë ndërtesat komunale, ne vërtetë duhet të mendojmë për mundësi të tjera dhe opsione të tjera. Kjo nuk është të paktën ajo ne dhe BE-ja kemi në mendje. E di që është situatë e vështirë, siç e kam thënë më parë, Qeveria mund të ketë diçka tjetër në mendje, por si e zbatoi atë, nuk është në linjë me gjithçka, të paktën ne në BE do të donim të shihnim”, thotë ajo.
Sipas zyrtares së lartë evropiane, duhet një zgjidhje që do të përfshinte edhe banorët lokalë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, kur grupe të serbëve lokalë më 26 maj kundërshtuan hyrjen në ndërtesa komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Policia e Kosovës asistoi hyrjen e tyre në zyra dhe u përlesh me serbët lokalë, të cilët hodhën gurë në drejtim të forcave policore. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe gaz lotsjellës, teksa u raportua se pesë policë u lënduan dhe disa makina të tyre u dogjën.
“Ne nuk mund thjesht të zbatojmë të drejtën për të hyrë në një ndërtesë komunale, edhe nëse de jure keni të drejtë të bëni një gjë të tillë. Por, de facto nuk mendoj se ka legjitimim për të bërë diçka të tillë”, thotë Viola von Cramon.
Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar fuqishëm veprimet e Kosovës, duke i kërkuar që të shtensionojë situatën. BE-ja ka kërkuar që Prishtina të mos marrë veprime të njëanshme, ndërkaq Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të ndalojë menjëherë “masat e dhunshme”.
Von Cramon është takuar gjatë 28 majit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Përderisa zyrtarja evropiane nuk pranon të tregojë detaje të takimit, ajo thotë se me kryeministrin kosovar kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me situatën në veri.
“Mendoj se jemi në një pikë kruciale se si të procedohet nëse situata vazhdon kështu. Që të gjithë ne jemi shumë të shqetësuar dhe keni parë deklaratën e fortë nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të QUINT-it, të ambasadës sonë. Pra, mendoj se i gjithë komuniteti ndërkombëtar dënon këtë veprim në mënyrën më të fuqishme të mundshme”, thotë ajo.
Von Cramon po viziton komunat në veri të Kosovës. Ajo u pyet nëse do të takohet me përfaqësuesit e Listës Serbe, por u shpreh se nga kjo parti – që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – kanë refuzuar që të takohen me të.
“Në mëngjes jam takuar me shumë përfaqësues, por fatkeqësisht Lista Serbe ka refuzuar të më takojë. Nuk e di arsyen për këtë, do të isha shumë e lumtur që të takohesha me ta”, thotë ajo.
Policia e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për të dytën ditë me radhë, situata në veri është e qetë dhe stabile. Nga ky institucion kanë thënë po ashtu se policët po vazhdojnë të ruajnë ndërtesat komunale.
Katër kryetarët e rinj të komunave në veri – përfshirë edhe atë të Mitrovicës së Veriut që ka dalë në zyrën e tij pa problem, për shkak se ndërtesa komunale është e ndarë nga ndërtesa ku funksionojnë institucionet paralele serbe në këtë komunë – u zgjodhën në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill.
Zgjedhjet në këto komuna të banuara me shumicë serbe u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe në nëntor të vitit të kaluar.
Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar./REL