Nga Adnan Cerimagic*

Gjatë një aktiviteti të përbashkët me presidentët e Kosovës dhe Serbisë fundjavën që shkoi, unë i bëra një thirrje të drejtpërdrejtë të dyve, që të mos bëjnë gabimin fatal, duke e destabilizuar të gjithë rajonin e Ballkanit.

Unë fola jo vetëm si analist politik, por edhe në aspektin personal si një qytetar i Ballkanit, duke rrëfyer historinë se si vendlindja ime në Bosnjë Hercegovinë u shkatërrua nga lufta, dhe rilindi sërish si një komunitet multietnik.

Duke ju drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçic dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi, unë paralajmërova rrezikun e përpjekjes për t’u marrë me pakicat me qëllim zhdukjen e tyre, dhe me kufijtë që reduktohen përgjatë vijave etnike.

Unë i bëra ndërkohë thirrje Bashkimit Europian, të përfaqësuar nga një komisioner europian dhe presidentët e dy vendeve të BE-së, për t’ia bërë të qartë Thaçit dhe Vuçiçit, se nuk do ta mirëprisnin ndonjë masë të tillë. Mjerisht, druhem se ankesa ime deri më tani ka rënë në vesh të shurdhër.

Në fjalimet e tyre në Forumin Evropian Alpbah, Vuçiç dhe Thaçi, e kanë bërë të qartë se janë të gatshëm të diskutojnë kufijtë, në një përpjekje për të arritur një zgjidhje të përhershme të paqes.

Përfaqësuesit e BE-së, thanë se nuk do t’i dekurajonin në këtë drejtim.

Dhe kjo rrezikon të gjallërojë idenë e rrezikshme, që ushqeu për një dekadë luftën në vitet 1990: konceptin, se njerëzit janë të sigurt, vetëm në mesin e grupit të tyre etnik. Nëse kjo ide fiton besueshmëri, dhe sërish bëhet një program i mundshëm politik për nacionalistët në të gjithë rajonin, kjo do të kishte pasojat më të rënda për Ballkanin në tërësi.

Nëse udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, ndryshojnë kufijtë për t’i bërë vendet e tyre më pak multietnike, çfarë do t’i ndalonte udhëheqësit e tjerë, që të vendosin të bënin të njëjtën gjë? Kjo do të çojë në frikë, tensione dhe agresion – dhe fanatikët mund të vendosin të përdorin sërish dhunën. Këto të gjitha kanë ndodhur edhe më parë.

Duke treguar historinë e vendlindjes sime, dua të përcjell mbi të gjitha një gjë: që ringjallja e qytetit, ishte e mundur vetëm sepse bashkësia ndërkombëtare dërgoi një mesazh të qartë në fund të luftës në Bosnjë s’ka ndryshime kufijsh përgjatë vijave etnike.

Unë linda në vitin 1986, në një qytet të vogël në Bosnjën veriore, të quajtur Doboj. Isha 5 vjeç kur shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi dhe 6-vjeç, kur nisën luftimet në Bosnje. Bashkë me nënën dhe vëllain tim, e kalova luftën si një refugjat në Kroaci. Babai im mbeti në Bosnjë, duke u përfshirë në luftime. Isha 9, vjeç kur përfundoi lufta më 1995.

Familja ime ishte me fat, sepse ne të gjithë mbijetuam. Por e mbaj mend shumë mirë kur vizituam Dobojin për herë të parë pas luftës, në shkurtin e vitit 1996. Ishte një qytet i tmerrshëm: boshnjakët dhe kroatët ishin dëbuar, minaret dhe xhamitë ishin shkatërruar, dhe shumë shtëpi ishin dëmtuar.

Ne as nuk guxonim të thonim me zë të lartë në rrugë, emrat tanë boshnjakë myslimanë.

 

Për muaj e vite pas luftës, unë kisha makthe për Dobojin. Që atëherë, Bosnje Hercegovina ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Numri i paqeruajtësve të huaj ka rënë, nga 60.000 në vitin 1996 në vetëm nën 1.000 sot.

Që nga viti 2006, ka pasur një ushtri të përbashkët, dhe rekrutimi i detyrueshëm është shfuqizuar. Unë jam pjesë e gjeneratës së boshnjakëve të rinj, që nuk janë detyruar kurrë të përdorin armë. Por, siç u thashë liderëve të shtunën e shkuar, sot jam vërtet i brengosur.

Unë jam shumë i ri për të kujtuar vitet para luftës, por tani di shumë për atë periudhë. Shumë intelektualë dhe politikanë jugosllavë folën për kufijtë, padrejtësitë dhe të drejtat etnike. Ata të gjithë përdorën një argument të thjeshtë, por destruktiv: Ju jeni të sigurt, vetëm kur dhe ku grupi juaj etnik mbizotëron.

Disa ide duken në fillim të pafajshme, por ato mund të bëhen monstruoze. Kjo ide shkatërroi Jugosllavinë dhe Dobojin. Shkatërroi familjet, çoi në dëbime masive, dhe në gjenocid në Srebrenicë. Ai ktheu kufijtë në plan të parë, dhe krijoi me gjak kufij të rinj.

Por idetë mund të mposhten. Doboji e dëshmon këtë. Sot qyteti është pjesë e Republika Srpska, një nga dy rajonet kryesore të Bosnjës dhe Hercegovinës, të njohura formalisht si “entitete”. Emri i rajonit nënkupton një karakter etnik serb, dhe rreth 1 milionë serbë jetojnë atje.

Por ata jetojnë së bashku me 230.000 njerëz nga grupimet e tjera etnike. Në Doboj, gjysma e popullatës jo-serbe të para luftës është rikthyer – pothuajse 20.000 prej tyre. Xhamitë janë rindërtuar, nga minaret mund të dëgjohen thirrjet për lutje, ndërsa kremtohen festat katolike dhe myslimane.

Doboji i anktheve të mia, është sot një qytet i zakonshëm, ku boshnjakët dhe kroatët, nuk kanë frikë nga kryebashkiaku i tij serb. Ata votojnë vazhdimisht për të – edhe kur një kandidat boshnjak garoi për këtë post në vitin 2012.

Dhe së bashku me fqinjët e tyre serbë, ata përballen me sfida të përbashkëta: shërbime të dobëta shëndetësore dhe arsimore, vende të pakta pune për të konkurruar. Doboji i sotëm, nuk do të ekzistonte, nëse nacionalistët që donin ta përdorin luftën për të ndërtuar shtete monoetnike, do të kishin triumfuar. Shumë njerëz, ndajnë mendimin tim.

Të rinjtë nga i gjithë Ballkani, të cilët ishin të pranishëm për diskutimin e së shtunës, i pritën me entuziazëm vërejtjet e mia. Ambasadorët e BE dhe diplomatët e lartë nga i gjithë rajoni, më dërguan një e-mail inkurajues. Ka pakica në mbarë rajonin, ta cilët mbështeten në angazhimin se s’ka nevojë të jenë shumicë, për të pasur një të ardhme të mirë.

Megjithatë, krerët e Kosovës dhe të Serbisë, u përpoqën të na bindnin se ideja që e shkatërroi Jugosllavinë dhe e shtyu Ballkanin Perëndimor në periferi të Europës, do të ndihmonte tanimë që të dyja vendet, dhe që rajoni t’i afrohet BE-së.

Unë u thashë atyre se, përkundrazi, rilindja e kësaj ideje do ta rrezikonte përparimin e dy dekadave të fundit. Detyra e brezit tonë, nuk është që të negociojmë mbi kufij, por t’i bëjmë ata të parëndësishëm – t’i kthejmë kufijtë e Ballkanit në kufijtë evropianë, si ato midis Tirolit dhe Tirolit të Jugut, ose midis Gjermanisë dhe Polonisë.

Dhe për ta bërë këtë, ne kemi shumë punë përpara: të ndërtojmë institucione të bazuara në sundimin e ligjit, të forcojmë demokracitë tona, të nxisim lirinë e medias dhe shumë më tepër. Këto janë sfidat, mbi të cilat duhet të përqendrohen udhëheqësit politikë, dhe jo të ndryshojnë territore në një hartë.

Disa anëtarë të panelit e cilësuan diskutimin tim si “historik”. Unë jam shumë i ri dhe plot shpresë, për ta parë veten si një Kasandër, ndaj shpresoj që ata ta kenë gabim. Sepse nëse idetë e prezantuara në Austri bëhen realitet, ky diskutim do të mbahet mend për arsyet e gabuara. Ai do të hynte në histori si një kthesë tragjike, drejt një destabiliteti të shmangshëm. ( Burimi: “Politico.eu”. Përgatiti: Bota.al)/

 

Shënim: Adnan Cerimagic, është analist i institutit europian të Nismës së Stabilitetit, me seli në Berlin.