
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, njoftoi sot në një konferencë për shtyp se pacientët e prekur nga zjarri në Koçan janë në gjendje përgjithësisht të qëndrueshme, ndërsa 20 prej tyre janë në gjendje kritike. Ai paralajmëroi se komplikacione të mundshme priten sot dhe nesër.
Siç tha ai, ka pacientë të rinj që kanë qenë pjesë e ngjarjes tragjike në Koçan, por nuk janë paraqitur dje, por vetëm sot.
“Përfunduam takimin e Shtabit të Krizës dhe bëmë një përmbledhje të situatës. Fatmirësisht, pacientët që u dërguan dje në spitalet e vendit janë në gjendje të qëndrueshme.
Edhe ata që u transferuan jashtë shtetit, gjithsej 51 deri tani, janë në gjendje përgjithësisht të qëndrueshme. Megjithatë, po shfaqet një problem i ri, pasi ka pacientë që nuk janë paraqitur dje dhe po paraqiten sot. Dua të bëj thirrje për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e kësaj ngjarjeje tragjike dhe nuk janë paraqitur ende, t’i lutem ta bëjnë sot,” tha Taravari.
Ai theksoi gjithashtu se të gjithë pacientët nga Koçani dhe Shtipi janë tashmë të transferuar në Shkup dhe nuk ka më pacientë në këto dy qytete. Taravari nënvizoi se situata është nën kontroll dhe priten më pak komplikacione. Në zjarrin tragjik humbën jetën 59 persona, ndërsa nga të plagosurit, 84 po trajtohen në spitale brenda vendit dhe 51 të tjerë jashtë shtetit.
Komente