Ministri i Mbrojtjes, zonja Xhaçka, ka informuar publikun mbi masat urgjente të nevojshme për të kapërcyer këtë stituatë të motit të ftohtë që ka përfshirë vendin.

Ajo njofton se Ministria e Mbrojtjes, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile si dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ‘janë në kontakt të vazhdueshëm me 5 ministritë e linjës si edhe me Autoritetin Rrugor Shqiptar; Policinë e Shtetit; me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrikë, Koorporatën Elektroenergjitike Shqiptare, Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes; Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, me 12 prefektët si dhe me njësitë  vetëqeverisjes vendore’.

Ministri tha se në të gjitha qarqet e prekura nga dëbora, ‘janë aktivizuar mbi njëqind mjete, që po punojnë për hapjen e akseve me probleme’.

Mbi dy mijë efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, punonjës të OSSHE dhe të shëndetësisë janë në gatishmëri të plotë për t’iu gjendur pranë banorëve, për çdo problem të vërejtur.  Helikopterët e Forcës Ajrore dhe ekuipazhet e tyre janë të gatshëm të ndërhyjnë nga ajri për t’iu përgjigjur të gjitha problemeve shëndetësore apo kërkesave për bazë ushqimorë, në ato fshatra, që bllokohen nga moti i keq, njoftohet nga ministria.

Ministri Xhaçka bëri një apel direkt: “Të dashur qytetarë të zonave të prekura nga reshjet e dëborës,  Siguria juaj është misioni ynë parësor. Ndaj do të kërkonim të evitonit daljet e panevojshme nga shtëpitë”.

Ministria ka shpallur për qytetarët: Të gjithë ju, që keni nevojë për asistencë, duhet t’i drejtoheni ambienteve të përshtatshme të ngritura nga pushtetit vendor në raste emergjencash, të telefononi në numrat e emergjencave 126, 127, 128 dhe 129 ose tu drejtoheni shtabeve të emergjencave në qytetet tuaja

‘Në ditë të tilla është shumë e rëndësishme që, edhe ju drejtues të automjeteve, të përdorni  zinxhirë dhe të respektoni  rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të zbatoni udhëzimet për qarkullimin rrugor”, u shpreh Xhaçka.

Veritas.com.al/