Ministria e Transportit ka shpallur fituesin e garës për shërbimin e konsulencës lidhur me projektin e koncesionit të autostradës Milot-Morinë, kompaninë “DOLSAR Engineering Inc. Co”.
Ministria ka publikuar dje njoftimin se fondi limit për këtë shërbim do të jetë 485 milionë lekë (3.6 milionë euro), pa përfshirë vlerën e TVSH-së, financuar nga Buxheti i Shtetit dhe Kompania koncesionare, nga 50% secili, për një periudhë 5-vjeçare. Pjesëmarrës në procedurë kanë qenë 10 kompani apo konsorciume.
Oferta e kompanisë “DOLSAR Engineering Inc.Co” është vlerësuar me 93.43 pikë dhe është identifikuar si oferta e suksesshme. Kompani të tjera janë skualifikuar për probleme me dokumentacionin.
Agjencia e Prokurimit Publik ka njoftuar ndërkohë se, sipas termave të marrëveshjes, qeveria shqiptare do të subvencionojë me 64.9 milionë euro konsorciumin “Catalyst”-Salillari-Kastrati, etj, që tashmë është shpallur fitues.
Tarifa e përdoruesve të rrugës, për të cilën tashmë është rënë dakord midis palëve, do të jetë në masën 5 euro për veturat dhe do të rritet në mënyrë progresive për automjetet e mëdha.