Autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, shtetasi portugez Ruben Saraiva është njohur sot me masën e rivlerësimit nga Gjykata e Lezhës. Gjykata vendosi masën arrest me burg pa afat. Ndërkohë në sallën e gjyqit ai ka mohuar përfshirjen e tij në këtë vrasje duke thënë se në Shqipëri ishte vetëm për turizëm.

“Nuk e kam njohur viktimën dhe emrin e tij e kam mësuar nga mediat”, ka thënë ai.

Gjithashtu ka kërkuar edhe të njihet me dosjen.

Ndërkohë avokati i caktuar nga shtetit Elton Laska në një komunikim për mediat sqaroi se Prokuroria kërkoi masën arrest me burg.

“Prokuroria kërkoi masë arresti me burg, deklarimi i tij ishte që nuk kishte asnjë lidhje me këtë ngjarje. Gjykata e garantoi që do të kishte në dispozicion të gjithë fashikuj gjyqësor brenda një afati të parashikuar nga ligji dhe ai rezervoi të drejtën për të shprehur në një moment tjetër. Reagimi i tij ishte se nuk ka asnjë dijeni për ngjarjen dhe se e ka marrë vesh nëpërmjet mediave. Në Shqipëri kishte ardhur për pushime”, ka deklaruar avokati i caktuar nga shteti Elton Laska.