Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “paraqitje një herë në javë’, dhe ndalim i udhëtimeve jashtë vendit për ish- ministrin Saimir Tahiri. Si ‘pika e fundit në gotë’ shërbeu fakti që Prokuroria e Krimeve të rënda ka zbuluar mesazhe në WhatsApp nga gruaja e Saimir Tahirit drejtuar biznesmenit Orest Sota.

Orest Sota është kapur me 836 mijë euro në makinën e tij (që mendohet se janë të Saimir Tahirit) dhe me patentat për mjete lundruese të Saimir Tahirit. Më në fund janë kapur edhe mesazhet e gruas së Tahirit në telefonin e Sotës.

Ish ministri Tahiri udhëtoi drejt Gjermanisë në fund të nëntorit, ku qëndroi për disa ditë. Në atë periudhë pas autorizimit të Parlamentit, gjykata vendosi kontroll banese, por jo bllokim të pasaportës për Saimir Tahirin.

Gjatë dëgjesës në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, prokurorët e Krimeve të Rënda u shprehën se i ndruheshin daljes jashtë shteti të Saimir Tahirit dhe prishjes së provave. Por më pas në Gjykatë, prokurorët nuk kërkuan bllokimin e pasaportës, duke e lënë të lirë deputetin të lëvizë sipas dëshirës.

Veritas.com.al/