Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano këtë të mërkurë në një konferencë për mediat ka konfirmuar masat e ndërmarra ndaj Kosovës për shkak të situatës së krijuar në Veri.
Zyrtari evropian është shprehur se këto nuk janë sanksione por janë masa që hyjnë menjëherë në fuqi dhe është një vendim që është mbështetur nga 27 vendet e BE-së.
Stano është shprehur se këto masa janë konsekuenca politike ndalje e takimeve të nivelit të lartë dhe gjithashtu masa financiare, dhe hiqen në varësi të hapave që do të ndërmarrë qeveria Kurti përsa i përket normalizimit të situatës në veri të Kosovës.
“Bashkimi Evropian në pajtim me 27 shtete ka përgatitur propozim me masa me efekt të menjëhershëm, këto nuk janë sanksione këto janë masat që merren menjëherë. Shtetet anëtare kanë mbështetur një seri masash.
Këto janë konsekuenca politike; ndalje e takimeve të nivelit të lartë dhe gjithashtu masa financiare. Këto masa janë të përkohshme dhe me mundësi largimi, varësisht nga hapat që merr qeveria e Kurtit”, ka thënë Stano.