Kryeministrja finlandeze Sanna Marin ka mbërritur në ambientet e Kryeministrisë shqiptare ku dhe është nderuar me ceremoni zyrtare.

Mikpritësi ishte kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili e prezantoi me një pjesë të kabinetit të tij për t’iu drejtuar më pas ambienteve të brendshme të institucionit qeverisës.

Të dy udhëheqësit do të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp më pas.

Ditën e djeshme, Marin vizitoi Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjatë 21 qershorit pritet të përmbyllë turin në Ballkanin Perëndimor me Shqipërinë dhe Kroacinë.

Temat kryesore në agjendën e takimit me krerët shtetërorë janë aplikimi i Finlandës për anëtarësim në NATO, ndikimi i aplikimit në forcimin e sigurisë së NATO-s dhe politikat e ardhshme të NATO-s.

Tema të tjera për t’u diskutuar janë proceset e anëtarësimit në BE të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Temat përfshijnë gjithashtu luftën e agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe pasojat e saj, mbështetjen për Ukrainën dhe marrëdhëniet dypalëshe.

Kryeministrja e Finlandës vjen në Shqipëri, në një kohë kur Finlanda dhe Suedia kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e NATO-s ,pas agresionit rus të nisur në Ukrainë.