Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonimik në Drejtorinë e Përgjithshmë të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganeve, Tatimeve, kërkoi vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive në zotërim të shtetasve Elman Abule, M. T., Kristian Boçi, D. B., E. B., V. A., E. B. dhe pasurive të disa subjekteve tregtare të provuar si në administrimin e shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal. Nga vlerësimi paraprak rezulton se vlera e pasurive të jetë 50 milionë euro.
Nga hetimi i kryer, u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasit Elman Abule në bashkëpunim me shtetasin Kristian Boçi, Elman Abule etj., kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë edhe bashkëshortet e tyre. Elman Abule rezulton i dënuar në Belgjikë, ku ka kryer edhe dënimin në kuadër të grupeve kriminale. Gjithashtu nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, ekziston dyshimi i arsyeshëm se ky shtetas ka konsumuar edhe veprën penale të “Kontrabanda me mallra të licencuara”, parashikuar nga neni 173 i Kodit Penal.
Në kuadër të veprimtarisë së tij të paligjshme, Elman Abule ka themeluar një sërë shoqërish tregtare, me qëllimin të maskojë kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme. Ky shtetas, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin edhe të shtetasve Kristian Boçi, apo V. A., kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të produkteve të veprës penale.