Serbia ra dakord të furnizojë me armë Kievin ose i ka dërguar ato. Kështu thuhet në një dokument të klasifikuar të Pentagonit të publikuar nga Reuters, sipas të cilit, Serbia është i vetmi vend në Evropë që ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë.
Dokumenti, i cili është një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe “ndihma vdekjeprurëse” ose armë, ishte midis dhjetëra dokumenteve të klasifikuara të postuara në internet, javët e fundit, në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane në vite.
I titulluar “Evropa – Përgjigjja ndaj konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë”, dokumenti në formën e grafikut rendit “pozicionet e vlerësuara” të 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake.
Grafiku tregoi se Serbia refuzoi të ofronte trajnime për forcat ukrainase, por ishte zotuar të dërgonte ndihma vdekjeprurëse ose e kishte furnizuar atë tashmë. Në dokument thuhet se Serbia kishte vullnetin politik dhe aftësinë ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.
Dokumenti është shënuar me Sekret dhe NOFORN, duke ndaluar shpërndarjen e tij për shërbimet e huaja të inteligjencës dhe ushtrisë. Ajo mban datën 2 mars dhe është e stampuar me vulën e zyrës së Shefit të Shtabit të Përbashkët.
Zyra e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dhe ambasada e Ukrainës nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
Po kështu edhe Pentagoni gjithashtu nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të Reuters në lidhje me referencën e dokumentit për Serbinë dhe më parë ka refuzuar të komentojë ndonjë nga dokumentet e zbuluara.
Qeveria e Vuçiçit ka deklaruar neutralitet në luftën e Ukrainës, pavarësisht lidhjeve të thella historike, ekonomike dhe kulturore të vendit me Rusinë.
Departamenti i Drejtësisë po heton rrjedhjen, ndërsa Pentagoni po vlerëson dëmin e shkaktuar në sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Grafiku i Pentagonit i ndau përgjigjet ndaj kërkesave të Ukrainës për ndihmë në katër kategori: vendet që ishin zotuar të ofronin trajnime dhe ndihmë vdekjeprurëse; vendet që kishin ofruar trajnime, ndihmë vdekjeprurëse ose të dyja; vendet me aftësinë ushtarake dhe vullnetin politik “për të ofruar ndihmë vdekjeprurëse në të ardhmen”.
Austria dhe Malta ishin dy vendet e vetme të shënuara me “Jo” në të katër kategoritë.