Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zhgënjyera që çështja e mbajtjes së konferencave të para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mbeti e pazgjidhur, pavarësisht mbështetjes së fortë të presidencës portugeze të BE-së dhe disa partnerëve europianë dhe zgjidhjet e arsyeshme që u propozuan, deklaroi zëvendësndihmëssekretari i Zyrës për Çështjet Euroaziatike, Matthew A. Palmer në Forumin e Prespës për Dialog.
“Sepse kjo, sinqerisht, prek edhe objektivat dhe veprimet tona. Këto shtyrje kanë dobësuar ndikimin kolektiv të SHBA-së dhe BE-së dhe kapacitetet e tyre për të çuar përpara objektivat tona të përbashkëta në rajon, ndër to jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës dhe kryerjen e reformave kushtetuese dhe ato të integrimit europian në Bosnje-Hercegovinë, por edhe çështje të tjera më të gjera rajonale”, theksoi ai.
“SHBA mirëpresin njoftimin e fundit të Komisionit Europian lidhur me marrëveshjen për asistencën e paraantarësimit, që do të financojë planin e investimeve të BE-së. Do të dëshiroja të rikujtoja këtu atë që Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas deklaroi së fundmi se ”është thelbësore që Bashkimi Europian u qëndron angazhimeve të tij ndaj rajonit. Kjo përfshin edhe avancimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe realizimin e liberalizimit të vizave për Kosovën”.
Sikurse deklarova, mbetet ende shumë punë për t’u bërë, për më tepër kur konkurrentët tanë gjeo-politikë po përpiqen në mënyrë agresive që të minojnë besueshmërinë e SHBA-së dhe BE-së në rajon dhe integritetin e angazhimeve tona kolektive. Rreziqet vazhdojnë të rriten. Kam hasur në kritika të përsëritura lidhur me rolin e SHBA-së në këtë rajon. Ndokush madje guxon të thotë që SHBA-ja është angazhuar me dorë të rëndë. Ka të tjerë që shprehen se SHBA-ja në fakt nuk është e angazhuar mjaftueshëm. Fakti është që SHBA-ja ka qenë në angazhuar vazhdimisht në realizimin e qëllimeve të saj të përgjithshme”, shtoi Palmer.
“Vizioni ynë afatgjatë për rajonin është një rajon në paqe me veten, në paqe me fqinjët e tij, i qëndrueshëm, i begatë dhe i integruar në Bashkimin Europian dhe në strukturat Euro-Atlantike. Ajo që më jep shpresë është që ky nuk është vetëm vizioni i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, por është gati e padallueshme nga ajo që kërkojnë edhe partnerët dhe aleatët tanë europianë. Madje edhe më e rëndësishme është që ky vizion është gjithashtu vizioni i artikuluar qartë nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor”, -vijoi ai.
“Udhëheqësit e rajonit duhet të marrin fort në dorë të ardhmen europiane dhe të gjenerojnë presionin e brendshëm i nevojshëm jo vetëm për të arritur progres kolektiv në një të ardhme të afërt, por të ndryshojnë në mënyrë aktive rrëshqitjen në një territor regjimesh hibride. Përndryshe, bashkëpunimi ekonomik rajonal dhe rimëkëmbja e qëndrueshme ekonomike do të mbeten përjetësisht të paarritshme. Si pjesë të kësaj, udhëheqësit në rajon duhet të krijojnë dhe shfrytëzojnë tani mundësitë për zgjidhjen përmes dialogut dhe kompromisit të të gjitha dallimeve, që frenojnë vendet dhe popujt e tyre në arritjen e potencialeve të tyre të plota. Nëse kjo nuk është gjithëpërfshirëse, atëherë kjo do të mbetej përgjysmë”, deklaroi zyrtari i lartë amerikan.
“Për këtë qëllim, SHBA-ja po nxit Kosovën për një qasje pozitive me fqinjët e saj dhe nxit fqinjët e Kosovës që ta përfshijnë Kosovën me të njëjtën frymë pozitive. Me të njëjtën rëndësi, SHBA-ja po nxit Serbinë që të marrë një angazhim politik për zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit”, shtoi ai.
VERITAS.COM.AL