Hapësirat për të ‘fituar vota’ dhe ligësia e disa opozitarëve në këtë moment të luftës kundër sëmundjes vdekjeprurëse COVID-19, ka rënë në sy të diplomacisë së aleatëve.

Ambasada Amerikanë në Tiranë ka bërë thirrje faktorit politik në Shqipëri, duke i përmendur me emra se është koha që të bashkohen në veprime për t’i bërë ballë koronavirusit.

Në një komunikate për mediat, selia diplomatike e SHBA në Tiranë thotë se kërkohen të merren masa për të përballuar COVID-19, teksa premton mbështetje për qeverinë.

“COVID-19 kërkon që cilido në Shqipëri – pavarësisht se kush je – të bashkohet në frymë dhe në veprime. Ashtu si Presidenti Meta, Kryeministri Rama dhe Kryetari i Partisë Demokratike Basha ranë dakord së bashku, kjo është një kohë për veprime të qeta dhe praktike nga publiku, dhe veprime të shpejta e të përgjegjshme nga të gjithë udhëheqësit.

Në këtë drejtim, edhe Ambasada do të zbatojë masat mbrojtëse bazë ndaj COVID-19 të rekomanduara nga OBSH-ja, përfshirë mbajtjen e largësisë midis personave dhe masa të rritura personale higjienike, si larja e shpeshtë e duarve.

Do të vijojmë të mbështesim përpjekjet e qeverisë së Shqipërisë për të udhëhequr një përgjigje të bashkërenduar dhe transparente, e cila i mban të gjithë njerëzit në Shqipëri sa më të sigurtë, të shëndetshëm dhe të informuar që të jetë e mundur”, thekson Ambasada e SHBA.

VERITAS.COM.AL/