Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të pranojë planin franko-gjerman.
Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka pasur sot një bisedë telefonike me Kurtin dhe është folur gjatë për raprotet me Serbinë dhe në veçanti me planin franko-gjerman.
Vetë Collet ka shkruar në Tëitter se ka kërkuar prej Kurtit që Kosova ta pranojë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Fola me Albin Kurtin sot për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës që ta pranojë atë. Një temë kryesore ishte partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, shkruan ai.
Chollet po ashtu ka theksuar gjatë diskutimit me Kurtin, edhe nevojën që zyrtarët serbë të Kosovës, të kthehen në institucione.
”Ne diskutuam gjithashtu rëndësinë e karakterit multietnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në kontekstin e Dialogut dhe nevojën që zyrtarët serbë të Kosovës të kthehen në postet e tyre”, shkruan ai.
Pak ditë më parë në Kosovë mbërriti një grup me 5 të dërguar specialë, të cilët ja bënë të qartë Kosovës dhe Serbisë se duhet të negociojnë mbi planin franko-gjerman dhe kushdo që e refuzon do të përballet me pasoja. Duket se SHBA tani kërkon nga Kosova që të pranojë këtë propozim.