Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë për 24 veden të botës, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan. Pretendimi i Departamentit të Shtetit bazohet në një vlerësim të deklasifikuar të inteligjencës amerikane të publikuar të martën. Një zyrtar i lartë nga administrata e Presidentit Joe Biden tha se: ‘Ne mendojmë se kjo është vetëm maja e ajsbergut’.
Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende.
“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth 500 mijë dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.
Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.
Burimi tha gjithashtu se Kremlini kishte përdorur Brukselin si një qendër për fondacionet dhe frontet e tjera që mbështesin kandidatët e ekstremit të djathtë.
Zyrtari amerikan tha për median se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar me aleatë dhe partnerët për të mbledhur më shumë informacion për rrezikun e financimit rus për partitë politike.
“Ajo që është më tronditëse për këtë studim është se shohim praninë e financimit të fshehtë rus në mbarë botën… Po i paralajmërojmë këto parti të huaja dhe kandidatë se nëse pranojnë fshehurazi paratë e Rusisë. Ne kemi mundësinë t’i ekspozojmë, dhe do t’i ekspozojmë”, shtoi ai.
Vlerësimi i inteligjencës amerikane i lëshuar në një kabllogram nuk përmendi vende ose zyrtarë të veçantë që besohet se janë shenjëstruar nga Rusia – por tha se ato përfshinin katër kontinente.
Veç Shqipërisë, sipas burimit të administratës amerikane, në raport përmenden edhe Bosnja dhe Mali i Zi, respektivisht për financimin e fushatës së udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorak Dodik për zgjedhjet e vitit 2018 dhe fonde për partinë pro-ruse Fronti Demokratik.
Autoritetet ruse deri më tani nuk kanë bërë asnjë deklaratë publike mbi pretendimin e SHBA. Moska ka fajësuar më parë agjencinë amerikane të inteligjencës CIA për ndërhyrje në punët e vendeve të tjera.