Walter Russell Mead

Janë dy epidemi të përhapura sot në SHBA: koronavirusi dhe një ndjesi shqetësuese e dështimit kombëtar. Ashtu si të ashtuquajturit Kamzhikues, të cilët bridhnin nëpër Evropë gjatë Vdekjes së Zezë duke rrahut vetveten me kamzhikë për mëkatet e tyre, ekspertët dhe politikanët sot deklarojnë solemnisht, se një përgjigje e dështuar ndaj koronavirusit dëshmon se shoqëria amerikane është e sëmurë dhe udhëheqja amerikane globale ka vdekur.

Sigurisht që përgjigja fillestare e SHBA kishte të meta. Administrata e Trump dhe zyrtarët lokalë dhe shtetërorë duhej të kishin shfrytëzuar shumë më mirë kohën e fituar, nga ndalimet e udhëtimeve që shpalli presidenti Trump, që në fillim u kritikuan, por sot janë imituar universalisht. Koha mund të ishte përdorur për ta sjellë Amerikën në një formë më të mirë për testimin dhe trajtimin, dhe një miratim i hershëm i protokolleve të rrepta të distancimit social do të pengonte përhapjen e virusit në mënyrë të konsiderueshme dhe të zvogëlonte numrin e parashikuar të viktimave.

Nëse nuk do të kemi së shpejti një kurë mrekullibërëse, fatkeqësia do të ndihet në të gjithë vendin, duke vënë në provë spitalet dhe të gjitha nivelet e qevrisjes – në disa raste edhe përtej pikës së kolapsit. Çdo copëz e lajmeve të këqia do të stimulojë kamzhikuesit e kohëve moderne që të bëjnë me gisht në kërkim të fajtorëve.

Sidoqoftë, është shumë herët për të thënë se Amerika po dështon në një provë historike. Me çarë po vlerësohet? Falë vendimeve të këqija strategjike dhe operacionale në 1941, forcat amerikane të Paqësorit ishin tabelë qitjeje, kur shpërtheu lufta. Përveç mëshirës së aeroplanmbajtëseve të veta, flota e Paqësorit ishte e përqendruar dhe e ruajtur keq në Pearl Harbour. Kjo u pasua nga shpartallimi në Filipine. Të kapur në një pozicion të pambrojtshëm, deri në prill të vitit 1942 më shumë se 22,000 ushtarë amerikanë u kapën ose u dorëzuan, dhe 10,000 iu nënshtruan famëkeqit Marshim të Vdekjes së Bataanit, në robëri brutale.

Këto gabime të kushtueshme ishin më pak justifikuese dhe më të rënda, se gjithçka që kemi bërë gabim deri më tani në këtë krizë. Ata e bënë luftën më të gjatë dhe më të përgjakshme se ç’do të kish qenë – por fitorja erdhi në fund. Lufta Civile, Lufta e Parë Botërore, madje edhe Lufta e Ftohtë panë një model të ngjashëm të konfuzionit në fazat e hershme.

Amerika në përgjithësi fillon ngadalë. Gjenialiteti ynë kombëtar është për ekonominë private dhe sipërmarrjet private. Kur vjen kriza, SHBA u duhet më shumë kohë sesa shumë vende për të lëvizur në një situatë emergjente dhe për të koordinuar shumë pjesë lëvizëse të shoqërisë së saj; të fusin në një varkë autoritetet e ndryshme shtetërore, lokale dhe federale; dhe për t’i bërë sektorët privatë dhe publikë të punojnë në mënyrë efektive. SHBA zakonisht pengohet në metrat e para, por sapo nis të vrapojë zgjuarsia, përshtatshmëria, aftësitë dhe përkushtimi i popullit amerikan i mundësojnë të fitojë terrenin e humbur.

Edhe frikërat për kolapsin e lidershipit amerikan në botë janë të tejfryra. E vetmja mënyrë se si mund të ndihmojmë të tjerët në këtë pikë, është duke vënë Amerikën të parën.

Nëse vendi ynë është paralizuar nga një epidemi shkatërruese dhe ekonomia jonë shembet dhe digjet, ne nuk do të jemi në gjendje të ndihmojmë askënd me asgjë. America First në këtë moment nuk është një parullë për shovinizmin. Eshtë gjëja më logjike.

Kjo nuk është e vërtetë vetëm për SHBA. Dhurata më e mirë që çdo vend mund t’i japë botës në këtë kohë është të vihet në punë për të zgjidhur vështirësitë e veta, të ndihmojë popullin e vet dhe të përgatitet të luajë rolin e vet në ringjalljen globale.

Edhe kështu, Amerika ka bërë shumë më tepër për të luftuar pandeminë dhe pasojat e saj, sesa çdo vend tjetër. Kina ka dërguar disa dërgesa të profileve të larta me furnizime mjekësore shpesh defekttoze, zakonisht me çmime të kripura; Rezerva Federale hapi linja të këmbimit të dollarit që pengonin ngrirjen e ekonomisë botërore.

Sistemet mjekësore në Afrikë dhe gjetkë, të cilat janë ndërtuar me ndihmën amerikane për të luftuar HIV dhe Ebolan, u kanë dhënë dhjetëra vendeve kapacitete, që përndryshe nuk do t’i kishin. Teksa Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore janë duke argumentuar se është thelbësore të zvogëlohen ngarkesat e borxhit dhe të ndihmohen vendet në zhvillim të përballojnë kostot masive të krizës, Uashingtoni po punon me Grupin e Shtatëse dhe vendet e G-20 për përgjigjen ndaj nevojave. Dikush mund të thotë se kjo veprimtari do të merrte më shumë vëmendje nëse një demokrat do të ishte në Shtëpinë e Bardhë, por është një përpjekje më shumë se e respektueshme, për një vend që ende po përballet me një ngjarje, e cila ndodh një herë në një shekull.

Testi i vërtetë i lidershipit nuk ka ardhur ende. Amerika nuk mund ta ndihmojë botën, nëse është keq në shtëpinë saj. Por ndërsa SHBA ngrihet, mund të ndihmojë të tjerët, dhe do të jetë në interesin e Amerikës ta bëjë këtë. Amerikanët nuk mund të qëndrojnë të shëndetshëm nëse pandemia vazhdon të rritet nëpër botë, dhe ekonomia jonë nuk do të përparojë për një kohë të gjatë, nëse bota nuk përballet me të.

SHBA ende mund të mos jetë në lartësinë e provës që po i jep historia, dhe nëse do të ndodhë, do të ketë shumë hapësirë për vetëkamzhikim dhe qortime. Por përgjigja amerikane deri më tani, e metë siç është, sugjeron që pikat e forta që e bënë Amerikën të kalojë mespërmes krizave më të këqia dhe të dalë më e fortë, nuk janë zbehur ende. / Wall Street Journal – Bota.al

VERITAS.COM.AL