Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zbuloi përmes një deklarate për media hapin e radhës të PS për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Balla tha se 55 deputetë të Kuvendit i janë drejtuar kryeparlamentarit Gramoz Ruçi për nisjen e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës, pasi sipas tyre, ai ka shkelur rëndë Kushtetutën.

Deklarata e plotë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

55 deputetë të Kuvendit të Republikës, në respekt të procedurës së parashikuar nga neni 90, pika 2 e Kushtetutës dhe neni 112 i Rregullores se Kuvendit, i janë drejtuar Kryetarit të Kuvendit për nisjen e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës, pasi në bindjen tonë me veprime dhe mosveprimet e tij ka shkelur rëndë Kushtetutën.

Në vijim të këtij kërkesë është ngritur Komisioni Hetimor parlamentar me objekt “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Ndërkohë, Presidenti i Republikës, në një kurs përplasje të plotë të tij me Kuvendin dhe institucione të tjera kushtetuese, ka vijuar cenimin e Kushtetutës me pasoja të rënda, përmes veprimeve konkrete apo mosveprimeve të qëllimshme, të cilat po i rendisim dhe faktojmë në vijim.

Rrjedhimisht, vlerësojmë të domosdoshme që edhe këto veprime të bëhen pjesë e vlerësimit nga Kuvendi i Republikës, në kuadër të procedurës së nisur tashmë për shkarkimin e Presidentit të Republikës.’

Balla renditi shkeljet e rënda të Kushtetutës nga presidenti Meta, duke argumentuar se është momenti që të pritet rruga e çdo të keqeje tjetër duke bërë shkarkimin e presidentit.

Veritas.com.al/