Nga Laert Skiro/

Sot gjithçka u vu në lëvizje në piramidën e shtetit; që nga qeveria deri te opozita.. U duk si një lëvizje çliruese, madje edhe entuziaste. Më në fund, me siguri në kupolën e shtetit, u vendos që gjykatësi i ‘gjuajtur’ prej një viti, të nxirrej sot në breg. Shkëlqim Mirit iu vunë prangat. Dyshimet se gjykatësi ka depozituar në shtëpi një shumë lekësh prej 300 milionë, janë lidhur me gjykimin e një çështjeje penale mbi një vrasje në Mat. Sipas fjalëve që kanë rrjedhur nga institucioni i hetimit, gjykatës Miri ka ndryshuar çështjen gjyqësore të të pandehurit për vrasje nga Gentian Doda në Mat, nga ‘vrasje me dashje e peronit” në “plagosje pa dashje’.

Gjykatësi Miri si dhe klienti i tij Doda mund të kenë bërë krimin më të rëndë!- por kjo është në dobi të kupolës së shtetit dhe të diplomacisë që pikërisht në këtë moment po kërkojnë “peshkun e madh”. Pritet që moment pas momenti, si politika e vendit ashtu edhe diplomacia e huaj e akredituar në Tiranë, të dalin në konferencë për mediat dhe të deklarojnë se “peshkun e madh e kapëm”, madje para afatit.

Deri tani ishte thënë se “peshku i madh’ do të kapet në janar ose pas janarit, por ja që plani u realizua para afatit. Me sa duket ‘peshku’ Shkëlqim Miri, i cili ishte kapur para një viti, po ruhej në akull me qëllim që të nxirrej aty nga janari ose shkurti për të deklaruar se “e mbajtëm fjalën”.

Mirëpo deklaratat  për peshkun e madh “në janar” hasën në një ‘mosbindje publike’; askush nuk i besoi këto deklarata, madje edhe i përqeshën në media dhe rrjete sociale. Kjo i detyroi që gjykatësin Shkëlqim Miri ta nxjerrin nga ‘frigoriferi’ pikërisht në këtë moment.

Shkëlqim Miri ‘erdhi’ në momentin më të mirë të shpëtimit të peshkut të madh.

Deri tani veçse është folur për “peshq të mëdhenj” por asnjëherë nuk është deklaruar cili është kriteri i ‘peshës’. Kështu që në këtë moment, autorët e ‘peshkut’ do të thonë se ‘ja ky është peshku i madh”. Shkëlqimi i mjerë do të lëshojë jo shkëlqim, por hije mbi ministrin Tahiri, i vënë nën hetim për pjesëmarrje në banda kriminale dhe për 863 mijë euro që u gjetën në makinën e mikut të ministrit të akuzuar, Sota. Nëse 300 milionë lekë (të vjetra), që do të thotë se janë diku te 200 e ca mijë euro, janë më shumë se 863 mijë euro, kjo nuk ka asnjë vlerë në peshore: “Peshk i madh” do të quhet Shkëlqim Miri- gjykatës.

Politika dhe qeveria, edhe në këtë rast i lajnë duart për vete dhe fajësojnë njerëzit e Drejtësisë; ata janë ‘djalli dhe peshku’.

Ishte një shans  shumë i mirë për ‘peshkatarët’

Veritas.co.al/