Koment/

Çështja është shumë e thjeshtë: Ramush Haradinaj, kryeministër ende në detyrë i Kosovës ka shpifur publikisht kundër Edi Ramës- kryeministër i Shqipërisë. Kështu prezumohet në kallëzimin që ka bërë Edi Rama në Prokurorinë e Kosovës kundër Ramushit.

Sikur shpifja e Ramushit të ishte jo shpifje, por e vërtetë, atëherë Eddi Rama duhej vënë para bankës së të akuzuarit për tradhëti kombëtare; pra është e rëndë. Sepse ajo çfarë ka thënë Ramush Haradinaj është kështu: ‘Edi Rama i ka shitur Serbisë territoret e Kosovës!’. Brenda kësaj shpifjeje ka disa vepra penale, jo vetëm një. E para ‘tradhti kombëtare’; e dyta ‘shitje e pronës së tjetrit përmes mashtrimit ose zaptimit’; e treta ‘kthim në epokën e  gurit kur nuk kishte kufij shtetërorë as shtete dhe ngrihej dikush nga Azia e blinte një copë toke ku banonte një komb evropian’… Ramushi ka bërë namin me këtë që ka thënë, ose nëse e vërteton atëherë shpikja botërore bëhet një ‘Guinnes’.

Po sikur të mos jetë e vërtetë kjo që thotë Ramushi?

Atëherë kjo duhet vulosur në një vendim Gjykate dhe Ramushi të marër dënimin e merituar. Jo që të vuajë më shumë se ka vuajtur në luftë dhe nëpër gjyqet e Hagës i akuzuar për krime kundër njerëzimit, por që të merret vesh se një shpifje shumë e dëmshme për kombin ndëshkohet nga Drejtësia. Sepse në qoftë se Drejtësia nuk vepron, atëherë dëmi kundër kombit bëhet shumë i madh. Cili është dëmi kundër kombit?

E para, se shqiptarët si në Tiranë edhe në Prishtinë do të mendojnë se ‘qënka kollaj të shpifësh edhe kur je kryeministër’, dhe kështu bie aftësia shtetformuese e kombit. E dyta se duke shpifur kryeministri kundër një kryeministri tjetër ‘ej, na mori territoret!’ në këtë mënyrë kryeministri e ngre kombin më këmbë që të dalë në kufi e të mbrojë territoret e Kosovës kundër shqiptarëve të Shqipërisë…. Ka njëmijë dëme kjo.

Prandaj ka njëmijë arsye pse duhet ndëshkuar sa më parë krimi i kryer, i kryer o nga ana andej që është Ramushi, o nga ana këtej që është Rama.

Mirëpo që mbrëmë natën, sapo morën vesh se një padi ka shkuar në Prokurorinë e Prishtinës, disa ‘nacionalistë’ u ngritën kundër padisë. Më qesharake ishte se këta duken si mbrojtës të Ramushit, por që ‘groposin’ Ramushin. Shokët e Ramushit e nxjerrin zbuluar si ‘fajtor’, përderisa e mbrojnë me mjete jo- ligjore, por me propagandë. Domethënë Ramushi merret vesh se ka shpifur, por hajde ta mbrojmë me sfurqe. Disa i kanë thënë Ramës ‘tradhtar’, dhe ‘bashkëpunëtor i Vucic’,  sepse e ka bërë padinë ditën e  festimeve të masakrës 30 vjetorit të masakrës së Raçakut… Këta bëjnë një gjë më të keqe, se i tregojnë kombit se nuk duhet të kërkojë Drejtësi as të hënën, as të martën, as të mërkurën, as të enjten, as të premten, as të shtunën, as të dielën… Se të gjitha janë ditë të shënuara.Perveç kesaj keta vete thone se ‘duhet de- kriminalizuar’ politika, por le te shpifim ne dem te mombit! Çudi e madhe.

Por një dëm i madh se këta e paraqesin kombin sikur është në stadin e prapambetur, të cilin Frojd e quante shtresa e ‘totemit dhe tabusë’.

Po pse, a nuk qenkemi ne të aftë të kërkojmë Drejtësi në çdo ditë të javës? Këta po e turpërojnë kombin në sy të kombeve të Evropës.

Veritas.com.al/