Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borell, pak para takimit të ministrave të Jashtëm të Unionit, ka theksuar sërish se, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë kryer detyrat për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.
Ai nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, thekson se qëndrimi i unionit mbetet i pandryshuar karshi rrugëtimit evropian të të dyja vendeve.
“Këtë ia rikonfirmova ministrit të Jashtëm të MV-së, Bujar Osmani”, shkruan Borell.
Situata e agravuar në Bosnjë dhe Hercegovinë do të jetë fokusi i takimit të ministrave.
Përpara mbledhjes, Borell, deklaroi se “situata në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi nuk është e mirë”. Ai theksoi se, në vend ka prirje që cenojnë unitetin e vendit dhe dëmtojnë rrugën e tij evropiane.
Ministrave do t’u vendoset në dispozicion një dokument i përgatitur nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm, në të cilin vlerësohet se situata në Ballkanin Perëndimor ka qenë “gjithnjë e më sfiduese”.
Dokumenti i publikuar më herët nga mediumi “Radio Evropa e Lirë”, përmendte thellimin e krizës politike në Bosnje dhe Hercegovinë, tensionet në veri të Kosovës, si dhe ndarjet ndërpartiake në Mal të Zi .
Nga ana tjetër, komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha se zgjerimi është “mjeti më i fortë” i BE-së, kështu që institucionet evropiane duhet të vazhdojnë me këtë politikë.
Për situatën në rajon para fillimit të takimit ministror ka folur edhe ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliç Radman, i cili ka vlerësuar se situata është duke u përkeqësuar dhe se, sipas tij, ndarjet po bëhen gjithnjë e më të mëdha.
Kjo është hera e dytë këtë vit që ministrat e Jashtëm evropianë trajtojnë situatën në rajon.
Ata u mblodhën dhe në maj të këtij viti ku patën një diskutim të ngjashëm.