Qeveria gjermane shprehu rezerva mbi strategjinë e re të Komisionit Europian për anëtarësimin e Ballkanit, e cila prezantohet sot në Strasburg.
Dokumenti pritet të japë afate kohore vetëm për Serbinë e Malin e Zi, duke përmendur si datë të mundshme anëtarësimin e tyre në bllokun europian brenda vitit 2025. Për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të thuhet vetëm se Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandimin e nisjes se negociatave, pa përvijuar afate.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, i cituar nga DW, e ka bërë të qartë se këto kandidatë kanë ende për të bërë reforma të zgjeruara në vendet e tyre.
“Nuk do të ketë anëtarësime automatike, për shkak të datave që janë vendosur më parë”, ka deklaruar ai.
Berlini zyrtar e konsideron të një rëndësie kyçe perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit, por sipas Seibert, strategjia për Ballkanin e Komisionit Europian duhet të studiohet një herë e mirë kur të paraqitet të martën.
Edhe një zëdhënës i ministrisë së Jashtme gjermane insistoi se janë të nevojshme reforma në fushat kryesore si shteti ligjor, aftësia e konkurrencës dhe bashkëpunimi rajonal.
Nga sa arriti të mësojë VOA, që në hyrje të Strategjisë për Zgjerimin, saktësohet se vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e Bashkimit Europian “por jo në kushtet në të cilat ato janë aktualisht”.
Dokumenti njeh përparimin e bërë ndër vite “por në mënyrë që vendet të përmbushin të gjitha kushtet e anëtarësimit dhe të forcojnë demokracitë e tyre, ende kërkohen reforma gjithëpërfshirëse dhe bindëse në fusha vendimtare”, duke veçuar tre drejtimet kryesore: sundimin e ligjit, konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin rajonal e pajtimin.
Veritas.com.al/