Kryeministri Edi Rama ka treguar se cilat janë 2 sfidat me të cilat përballet Shqipëria në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Nga Brukseli, duke ju përgjigjur gazetarëve të huaj, kryeministri shqiptar tha se një sfidë është plotësimi i kushteve që i kërkohet Shqipërisë. Ndërsa nga ana tjetër, institucionet e BE-së duhet të jenë gati pasi Shqipëria të ketë përmbushur këto kushte.
“Ka 2 sfida. Njëra është ajo që duhet të bëjmë ne për çfarë pritet prej nesh. Dhe sfida tjetër është me çfarë do duhet të përballemi në të ardhmen. Që do të thotë kur punon me Komisionin Europian dhe gjithçka ndodh sipas rregullave, gjithçka është e parashikuar. Por kur shkon te Këshilli Europian sfida është e paparashikueshme. Ju e dini si shkojnë gjërat, ndonjëherë ti i ke bërë detyrat e tua por kati tjetër më lartë nuk është gati as të të presë. Le të shikojmë nëse yjet do jenë të linjëzuara siç duhet që kur të jemi ne gati të jenë dhe ata gati. Për momentin ne duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë. Ka një ndryshim dramatika të kapaciteteve të BE-së për të dëgjuar. Më vjen keq që na u desh Vladimir Putini të zgjoheshin nga gjumi institucionet e BE-së”, u shpreh Rama.
Këto deklarata, Kryeministri i bëri nga Brukseli gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, Oliver Ropke.